logo
HARUN YAHYA

Kurrë Mos Harroni Ekzistencën e Shejtanit i Cili Përpiqet Të Ju Largojë Nga Rruga e Drejtë

Vallë, a nuk jukam urdhëruar, o bijtë e Ademit, që të mos e adhuroni djallin, se ai është vërtet armik i hapët i juaji, por të më adhuroni vetëm Mua?! Kjo është rruga e drejtë. Sigurisht që ai (djalli) ka shpënë në humbje një mizëri prej jush; vallë a nuk po mendoni?!
(Sure Ja Sin: 60-62)

Gjithmonë duhet ta keni parasysh se ju keni një armik qëllimi i vetëm i të cilit është t’ju mbajë larg Allahut, fesë së Tij dhe Kur’anit. Ai nuk ndalon fare nga komploti i tij as edhe për një moment; duke qëndruar në pritë, ai pret mundësinë për ta përmbushur detyrën e tij. Ai është në gjendje të ju shoh prej aty ku ju nuk mund ta shihni atë dhe përpiqet me mijëra mënyra që t’ju fus në kurth. Një prej karakteristikave të tij është se ai është i fshehtë. Metodat, taktikat dhe truqet e tij mund të ndryshojnë nga një person tek tjetri. Taktikat që ai i përdor mund të varen gjithashtu nga koha, vendi dhe rrethanat. Ky armik i yni është Shejtani, qenia e cila është dëbuar nga prania e Allahut.

Në kundërshtim me atë që shumica e njerëzve mendojnë, Shejtani nuk është një qenie e imagjinuar. Njeriu duhet të jetë gjithmonë syhapur ndaj Shejtanit, si pjesë e sprovës në këtë botë. Sepse, duke u rebeluar ndaj Allahut, Shejtani u betua t’i largojë robërit e Tij nga rruga e drejtë. Sjellja kryengritëse e djallit rrëfehet si vijon në Kur'an:

Ne ju krijuam e pastaj ju dhamë formën; e u thamë engjëjve: “Përuljuni në sexhde Ademit!” – Të gjithë iu përulën, përveç Iblisit. Ai nuk ishte nga ata që u përulën. Allahu tha: “Çfarë të pengoi ty të mos përuleshe, kur të urdhërova?” Ai u përgjigj: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta”. Allahu i tha: “Atëherë, zbrit prej andej (Xhenetit)! Ti nuk ke të drejtë që të krenohesh në të! Shporru, me të vërtetë, ti je prej të poshtëruarve”. Iblisi tha: “Më jep afat deri në ditën kur ringjallen njerëzit!” Allahu i tha: “Ti je nga ata që u është dhënë afati”. Ai tha: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!” Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar! Pa dyshim, Xhehenemin do ta mbush me ty dhe me të gjithë ata që shkojnë pas teje!” (Sure A'raf: 11-18)

Siç bëhet e qartë në ajetin e mësipërm, Shejtani është armiku më i hapët i njerëzve. Kjo qenie do të përpiqet gjithashtu t’ju largojë nga rruga e drejtë duke ngjallur në ju dëshira mëkatare. Megjithatë, këtu duhet të theksohet një gjë e rëndësishme, siç është cekur në ajetet e mësipërme, qëllimi kryesor i shejtanit është që t’ju shtyjë ju, bashkë me njerëzit e tjerë që ta pasoni atë. Shejtani i mallkuar nuk do të ndalojë deri sa ju të hyni në Xhehenem. Prandaj, mos harroni kurrë se ju duhet të jeni gjithmonë të kujdesshëm për këtë dhe të mos ndiqni asnjë nga tundimet e tij.

Ekziston edhe një fakt madje edhe më i rëndësishëm për të kujtuar: Shejtani nuk posedon kurrfarë pushteti të pavarur nga Allahu. Ai është krijuar nga Allahu, dhe është nën kontrollin e plotë të Tij. Ai është një rob i Allahut, dhe mund të veprojë vetëm me lejen e Tij. Ai është i ngarkuar me detyrën për të ndihmuar për të dalluar ata që vërtet besojnë nga ata që nuk besojnë. Ai mund të veprojë vetëm me lejen e Allahut. Kur të mbarojë koha që i është dhënë atij, ai do të hidhet në Xhehenem bashkë me ata që ai i kishte larguar nga rruga e drejtë:

(Allahu thotë): do ta mbush Xhehenemin me ty dhe me të gjithë ata që të pasojnë ty”! (Sure Sad: 85)

Prandaj, gjithmonë keni parasysh se shejtani nuk ka në të vërtetë kurrfarë pushteti mbi besimtarët. Siç theksohet në ajetin vijues, ai ka fuqi vetëm mbi ata që nuk besojnë vërtetë dhe sinqerisht:

Iblisi tha: “Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ju zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim, përveç robërve të Tu të sinqertë”. (Sure Hixhr: 39-40)

Shejtani nuk mund ta largojë nga rruga e drejtë një njeri, i cili është krijuar nga Allahu si besimtar. Sigurisht, besimtarët janë gjithmonë të prirur të bëjnë gabime. Megjithatë, ata kurrë nuk e humbin shpresën nga mëshira e Allahut, por menjëherë kërkojnë strehim tek Ai dhe pendohen me sinqeritet. Ne jemi të informuar në Kur'an për ata ndaj të cilëve shejtani mund të ushtrojë pushtetin e tij:

Ai nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre. Pushteti i djallit është vetëm mbi ata, që i binden atij dhe adhurojnë zota të tjerë veç Allahut. (Sure Nahl: 99-100)

Asnjëherë mos harroni se shejtani dëshiron t’ju bëjë të vrazhdë, arrogant dhe të pabindur ndaj Allahut, ashtu siç është ai vetë. Ai ju urdhëron të bëni keq, të bëni vepra me të cilat Allahu nuk është i kënaqur dhe të thoni për Allahun atë për çka ju nuk keni njohuri. Ai përpiqet t’ju pengojë që ta vlerësoni drejt madhështinë dhe fuqinë e vërtetë të Allahut. Allahu tërheq vëmendjen për këtë rrezik në Kur'an si vijon:

O njerëz! Ushqehuni me të gjitha ato gjëra të lejuara e të mira që gjenden në Tokë dhe mos ndiqni gjurmët e djallit, sepse ai është njëmend armiku juaj i hapur. Ai ju nxit vetëm në të këqija, në vepra të turpshme dhe të flisni për Allahun gjëra që nuk i dini. (Sure Bekare: 168-169)

Insistimi i tij kryesor është që në njeriun të mbjell frikën e vazhdueshme nga varfëria, një synim që ai është në gjendje ta arrijë kur të ketë arritur t’i bëjë ata që të harrojnë jetën e përtejme. Të pavetëdijshëm se gjithçka është nën kontrollin e Allahut, dhe se askush nuk mund ta ndalojë asnjë të mirë nëse Allahu e dëshiron atë, këta njerëz jetojnë në papërgjegjësi të plotë, duke i shtyrë ata t’i kryejnë të gjitha llojet e shkeljeve ndaj Allahut:

Djalli ju frikëson me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni vepra të pamoralshme. Kurse Allahu ju premton faljen dhe mirësinë e Tij. Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm. (Sure Bekare: 268)

Taktika primare e shejtanit është dinakëria. Në të vërtetë, Allahu përshkruan këtë marifet të ulët si "...sherr të djallit cytës që fshihet (pasi që cyt) e që hedh dyshime në gjokset e njerëzve." (Sure Nas: 4-5) Siç bëhet e qartë në këtë ajet, shejtani, i cili u afrohet njerëzve në mënyrë mashtruese, bën që ata të merren me çështje boshe dhe të parëndësishme dhe bën që veprimet e këqija të tyre t’ju duken të drejta atyre:

Vetëm sikur të përuleshin kur u erdhi ndëshkimi Ynë! Por zemrat e tyre u bënë gur, ndërsa djalli ua paraqiste si të bukura veprat e tyre të këqija. (Sure En'am: 43)

Më e rëndësishme është se këta njerëz, zemrat e të cilëve janë të thekura dhe që pandehin se janë në rrugë të drejtë, edhe pse në të vërtetë ata janë të mashtruar, e largojnë veten edhe më shumë nga argumentet e Allahut. Duke braktisur Allahun, ata e çmojnë shejtanin shumë, ndjekin rrugën e tij, dhe në këtë mënyrë bëhen edhe më të pafytyrë. Allahu paralajmëron njerëzimin kështu:

Tregoju atyre (hebrenjve) për njeriun, të cilit Ne i mësuam shpalljet Tona, por u largua prej tyre. Kështu, djalli e pushtoi atë dhe ai u bë nga të humburit. (Sure A'raf: 175)

Mbani mend se Shejtani do të përdor metoda të ndryshme për njerëz të ndryshëm dhe do t’i atakojë dobësitë tuaja për t’ju larguar nga rruga e drejtë.

Gjatë gjithë historisë, shejtani i është afruar çdo njeriu me një taktikë të ndryshme. Ai siguron që një person i cili tashmë është larguar nga feja të largohet akoma më shumë duke bërë që jeta e kësaj bote t’i duket tërheqëse atij. Ai e bën atë ta harrojë Ditën e Gjykimit, dhe kështu, arrin ta mbajë larg nga feja e vërtetë gjatë gjithë jetës së tij.

Gjatë gjithë kohës, ai nuk lë pas dore që t’iu afrohet besimtarëve. Për t’i penguar besimtarët nga adhurimi i sinqertë i Allahut, ai përpiqet t’i ndalojë ata që të mos bëjnë vepra me të cilat fitohet kënaqësia e Allahut. Ai përpiqet t’i dobësojë vlerat e tyre. Duke e fshehur natyrën e vërtetë të ligësisë së tyre, ai i josh besimtarët që të jepen pas arrogancës, egoizmit, harresës, pakujdesisë, mendjemadhësisë, dhe gjaknxehtësisë.

Për t’i hutuar ata, shejtani i inkurajon njerëzit të bëjnë plane afatgjata me të cilat i mban mendjet e tyre të preokupuara. Ai përpiqet që t’i pengojë ata nga përkujtimi i Allahut. Për këtë qëllim, ai bën që njerëzit të thellohen në problemet e tyre të përditshme, apo i frymëzon ata me arsyetime për ta justifikuar neglizhencën e tyre në përkujtimin e Allahut.

Besimtarëve të cilët i janë nënshtruar Allahut, që e kujtojnë Atë natë e ditë, të cilët janë të vetëdijshëm se gjithçka bëhet nën kontrollin e Tij, dhe që i drejtohen Zotit në mënyrë të sinqertë, janë më pak të ndjeshëm ndaj ndikimit të djallit. Siç ka thënë gjithashtu Profeti Muhamed (savs): “Kur një grup njerëzish mblidhen për ta përmendur Allahun, mëshira (e Allahut) i mbulon ata, dhe qetësia zbret mbi ta.” Në dijeni të këtij fakti, shejtani përpiqet sidomos që t’i bëjë njerëzit ta lënë pas dore përmendjen e Allahut. Vërtetë, ai ka një ndikim të veçantë mbi ata që nuk kanë frikë Allahun:

Ata i ka vënë poshtë djalli dhe i ka bërë që të harrojnë përmendjen e Allahut. Ata janë pala e djallit; në të vërtetë, pala e djallit janë humbësit. (Sure Muxhadile: 19)

Kurrë mos harroni se është djalli që nxit urrejtje dhe armiqësi midis njerëzve. Që nga kohëra të lashta, “provokimet e shejtanit” përbëjnë bazën e të gjitha luftërave, konflikteve, mosmarrëveshjeve dhe mashtrimit. Provokimi i njerëzve nga shejtani rrëfehet në një ajet si vijon:

A nuk e sheh se Ne i kemi dërguar djajtë te mohuesit, për t’i yshtur ata me forcë? (Sure Merjem: 83)

Jobesimtarët janë njerëz të cilët e kanë marrë shejtanin si mik të tyre dhe kanë pranuar sistemin e tij. Me një mendësi të tillë, besnikëria ndaj shejtanit dhe urrejtja dhe armiqësia që ata ndiejnë për njëri-tjetrin bëhen të pashmangshme. Megjithatë, shejtani përpiqet gjithashtu ta ndezë urrejtjen mes besimtarëve. Duke vepruar kështu, ai ka për qëllim t’i dobësojë besimtarët dhe t’i pengojë ata nga bindja ndaj Allahut. Allahu i ka paralajmëruar robërit e Vet kundër këtij rreziku dhe u tregoi atyre mënyrat për të shmangur këtë:

Thuaju, robërve të Mi, që të flasin atë që është më e mira. Në të vërtetë, djalli mbjell ngatërresa ndërmjet tyre. Vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut. (Sure Isra': 53)

Mos harroni kurrë se, në çdo moment, shejtani mund të përpiqet me dhelpërinë e tij t’ju provokoj. Në kundërshtim me perceptimin e rëndomtë, shejtani nuk është një qenie që shfaqet herë pas here. Ai ju përcjellë kudo që të shkoni, apo çfarëdo që bëni. Ai është i vendosur për këtë luftë për gjithë jetën.

Një person i cili e harron ekzistencën e shejtanit është i prirur të mos i njoh tundimet e tij. Prandaj, ai mund të mashtrohet lehtë të besoj se këto tundime janë mendimet e tij. Ai thjesht mund të mos e kuptoj se ky zë i brendshëm dinak është zëri i shejtanit. Megjithatë, besimtarëve të vërtetë u është dhuruar urtësia dhe njohuria për të dalluar zërin e shejtanit nga ai i ndërgjegjes së tyre. Allahu i ka informuar ata se si të mbrohen nga pëshpëritjet dhe provokimet e djallit:

Nëse djalli përpiqet të të shtyjë drejt së keqes, kërko strehim tek Allahu, se vërtet, Ai dëgjon dhe di gjithçka. Ata që i frikësohen Allahut, kur u vjen ndonjë mendim i lig nga djalli, i kujtojnë (urdhrat e Tij), e atëherë e shohin rrugën e drejtë. (Sure A'raf: 200-201)

Mos harroni kurrë se djalli do të përpiqet t’ju bëjë që t’i harroni ato të vërteta që ju keni nevojë t’i keni gjithmonë parasysh. Siç u përmend më herët, një nga metodat më efektive të cilat djalli shpesh i përdor për t’i larguar njerëzit nga rruga e drejtë është t’i bëjë ata të “harrojnë.” Për këtë arsye, strategjia kryesore e shejtanit është t’i bëjë njerëzit të harrojnë për përgjegjësitë e tyre ndaj Allahut. Ai përpiqet t’i pengojë veprat e mira duke bërë që ne të harrojmë se Allahu na përfshin ne nga të gjitha anët, se ne i nënshtrohemi fatit, dhe se do të vdesim dhe do të na duhet të japim llogari për veprimet tona, në praninë e Allahut.

Shejtani nuk dëshiron që njerëzit të jenë mirënjohës ndaj Allahut. Kjo është arsyeja pse ai përpiqet t'i bëjë ata të harrojnë se çdo gjë rreth nesh është një nder prej Allahut. Ai përpiqet t’i mashtrojë njerëzit duke bërë që jeta e kësaj bote t’iu duket tërheqëse, dhe duke bërë që ata ta harrojnë ekzistencën e botës tjetër. Ai përpiqet t’i bëjë njerëzit të harrojnë se ekziston një e mirë absolute në çdo gjë që ndodh, dhe sidomos në ndodhitë e papritura. Realiteti i fatit dhe nevoja për të pasur besim në Allahun janë faktorë të tjerë kyç që ai përpiqet t’i bëjë njerëzit t’i harrojnë.

Në Kur'an, Allahu tërheq vëmendjen tonë disa herë për faktin se me fiksimet e tij, shejtani mund të ndikojë në mendjen e njeriut dhe në këtë mënyrë ta bëjë atë të harrojë:

Kur t’i shohësh ata të nënçmojnë shpalljet Tona, largohu prej tyre, derisa të kalojnë në bisedë tjetër! E, nëse djalli të bën të harrosh, sapo të përmendesh, mos rri me keqbërësit! (Sure En'am: 68)

“...Vetëm djalli më bëri ta harroj e nuk ta thashë se peshku mori rrugën nga deti në mënyrë të habitshme!” (Sure Kehf: 63)

...Por djalli bëri që ai të harronte ta përmendte te pronari i vet dhe kështu, Jusufi mbeti edhe disa vjet në burg. (Sure Jusuf: 42)

Përkundër të gjitha këtyre veprave të shejtanit, mos harroni asnjëherë se ai është një qenie nën kontrollin e plotë të Allahut dhe nuk ka pushtet mbi robërit e vërtetë e Allahut.

Në fund të fundit, shejtani është krijuar nga Allahu dhe, me dëshirë apo pa të, ai i nënshtrohet Atij. Ai mund të kryejë veprimet e tij vetëm me lejen e Tij. Përveç nëse dëshiron Allahu, përndryshe ai është i paaftë të bëjë ndonjërën prej tyre. Pa marrë parasysh se çfarë bën shejtani, ai mund t’i mashtrojë vetëm mohuesit. Nga ana tjetër, veprimet e tij ndaj atyre që besojnë vetëm ndihmojnë që të forcohet përkushtimi i tyre:

...që Ai ta bëjë ndërhyrjen e djallit sprovë për njerëzit që i kanë zemrat të sëmura (nga dyshimi) dhe të ngurtësuara - prandaj keqbërësit janë në përçarje të madhe - dhe që ata, të cilëve u është dhënë dituria, ta kuptojnë se ai (Kurani) është e Vërteta nga Zoti yt, ta besojnë atë dhe zemrat e tyre të binden e të qetësohen me të. Nuk ka dyshim se Allahu i udhëzon në rrugën e drejtë ata që besojnë. (Sure Haxhxh: 53-54)

Allahu ka shpallur se shejtani në fakt nuk ka kurrfarë fuqie. Ai mund t’i vë nën ndikimin e tij vetëm jobesimtarët. Kjo është bërë e qartë në Kur'an:

Me të vërtetë, hamendja e Iblisit për ata u vërtetua; ata shkuan pas tij, përveç një grupi besimtarësh të vërtetë. Por ai (Iblisi) nuk ka pasur kurrfarë pushteti mbi ta. Ne vetëm kemi dashur të zbulojmë se kush beson në jetën tjetër e kush dyshon në të. Zoti yt është Mbikëqyrës i çdo gjëje. (Sure Sebe': 20-21)

Në anën tjetër, besimtarët nuk ua vënë veshin tundimeve të Shejtanit, por menjëherë kërkojnë strehim tek Allahu, ashtu siç urdhërohen në Kur'an:

Nëse djalli fillon të të joshë, kërko mbështetje te Allahu... (Sure Fussilet: 36)

Ata janë të vetëdijshëm se dështimi për të kërkuar strehim tek Allahu, me çka ata mund t’ua mbyllin rrugën të bëmave të shejtanit, mund t’i bëjë ata më të dobët ndaj tundimeve të tij. Kjo është mënyra se si shejtani bëhet i besuari i pasuesve të tij dhe i largon ata prej Allahut dhe përkujtimit të Tij.

Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kurani), Ne do t’ia caktojmë një djall, që do t’i bëhet shok i pandashëm. (Sure Zuhruf: 36)

Nga çfarë u tha më parë, është e qartë se nuk ka arsye pse njerëzit që kanë besim të shëndoshë të jenë të shqetësuar për tundimet e djallit. Pa dyshim, ata duhet të jenë të vetëdijshëm për të. Por, në të njëjtën kohë, edhe Allahu u jep lajmin e mirë për një fakt shumë të rëndësishëm:

Por në të vërtetë, ti nuk ke kurrfarë pushteti ndaj robërve të Mi! Zoti yt mjafton si mbrojtës (i tyre)!” (Sure Isra': 65)

Asnjëherë mos harroni se shejtani është tinëzar për nga karakteri, ai do t’i lërë të gjithë pasuesit e tij të vetmuar në Ditën e Gjykimit.

Në përfundim të jetës sonë në këtë botë, shejtani do t’i braktisë pasuesit e tij duke i njoftuar ata se ai i kishte mashtruar ata. Ky njoftim rrëfehet si vijon në Kur'an:

Dhe, kur të marrë fund puna, djalli do të thotë: “Vërtet, Allahu ju bëri një premtim të vërtetë. Edhe unë ju premtova, por ju mashtrova. Unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju. Unë thjesht ju thirra e ju m’u përgjigjët. Prandaj, mos më qortoni mua, por qortoni veten! Unë nuk jam shpëtimtari juaj e as ju nuk jeni shpëtimtarët e mi. Unë tani e mohoj që më bëtë ortak me Allahun (në adhurim).” Vërtet, keqbërësit do të kenë një dënim të dhembshëm. (Sure Ibrahim: 22)

Pasuesit e këtij shejtani tinëzar do të njohin plotësisht veprimet e këqija të tyre në Ditën e Gjykimit. Ata do të ndiejnë sëmbimet e dëshpërimit për shkak se kanë qenë të papërgjegjshëm ndaj Allahut gjatë gjithë jetës së tyre dhe për shkak se nuk ke kanë pasuar rrugën e Tij. Megjithatë, do të jetë tepër vonë t’i shlyejnë gjynahet e tyre:

Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kurani) që më kishte ardhur!” Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës. (Sure Furkan: 27-29)

Asnjëherë mos harroni se vendbanimi i fundit i atyre që e pasojnë të keqen në botë do të jetë pa dyshim Xhehenemi.

Në Ditën e Gjykimit, pasuesit e shejtanit do të akuzojnë njëri-tjetrin në praninë e Allahut:

“Ah, sikur të kishte qenë largësia midis meje dhe teje sa ajo mes lindjes e perëndimit! Sa shok i keq paske qenë ti!” (Sure Zuhruf: 38)

Atë ditë, njeriu do të kuptojë përfundimisht se djalli është armik i hapët i tij. Por, siç u përmend më lart, do të jetë shumë vonë, dhe të kuptuarit përfundimtar të këtij fakti nuk do ta shpëtoj atë prej dënimit të përjetshëm të Xhehenemit. Shejtani dhe pasuesit e tij sigurisht se do të merren në përgjegjësi për çdo gjë që kishin bërë:

Për Zotin tënd! Ne do t’i tubojmë ata dhe djajtë, pastaj do t’i sjellim ata të gjunjëzuar rreth Xhehenemit! (Sure Merjem: 68)

Me të vërtetë, djalli është armik për ju, andaj vështrojeni si armik! Ai vetëm i josh ithtarët e vet, që të bëhen shokë të zjarrit të përflakur. (Sure Fatir: 6)

Si pasojë, asnjëherë mos harroni se e keni një armik i cili dëshiron që ju të vuani dhimbje dhe shqetësim dhe veç kësaj ta shijoni ndëshkimin e Xhehenemit përjetësisht. Ai është duke ju vështruar madje edhe po në këtë moment që jeni duke e lexuar këtë libër. Mos harroni se nëse me të vërtetë besoni në Allahun, duhet të kërkoni strehim tek Ai dhe të shmangni rrënjosjen e së keqes...

SHPERNDAJE
logo
logo
logo
logo
logo
Shkarkimet
  • Kurrë Mos Harroni!
  • Kurrë Mos Harroni Se Nuk Ka Zot Tjetër Pos Allahut
  • Kurrë Mos Harroni Se Udhërrëfyesi i Vetëm Është Kur’ani
  • Kurrë Mos Harroni Se Secili Moment Që e Jetoni Është Pjesë e Fatit Tuaj
  • Kurrë Mos Harroni Ekzistencën e Shejtanit i Cili Përpiqet Të Ju Largojë Nga Rruga e Drejtë
  • Kurrë Mos Harroni Se Kjo Botë Është Një Vendbanim i Përkohshëm dhe Një Sprovë
  • Kurrë Mos Harroni Se Vdekja Mund T’ju Vijë Në Çdo Moment
  • Kurrë Mos Harroni Se Dita E Ringjalljes Dhe Dita e Llogaridhënies Do Të Ndodhë Pa Dyshim
  • Kurrë Mos Harroni Se Vendbanimi i Jobesimtarëve Është Xhehennemi (Ferri), Vendbanimi i Ndëshkimit Të Amshueshëm
  • Kurrë Mos Harroni Se Vetëm Besimtarët e Sinqertë Do Të Hyjnë Në Parajsë, Vendbanimin e Shpërblimeve
  • Kurrë Mos Harroni T’i Luteni Allahut
  • Kurrë Mos Harroni Të Jeni Të Çiltër dhe Të Sinqertë me Allahun
  • Asnjëherë Mos Harroni Të Pendoheni dhe Të Kërkoni Falje për Veprat Tuaja Të Këqija
  • Përkujtimi u Bën Dobi Vetëm Atyre Të Cilët i Frikësohen Allahut
  • Kurrë Mos Harroni Se Allahu i Krijoi Të Gjitha Gjallesat
  • Mashtrimi i Evolucionit
  • Kurrë Mos Harroni! Se Allahu Është Një dhe i Vetëm…