Megapodët jetojnë në Australi dhe ndërtojnë fole shumë të veçanta për vezët e tyre. Megapodi mashkull gërmon një vrimë të madhe dhe e mbush atë me lëndë të lagura e bimë të kalbura. Zogu ka një arsye të veçantë dhe të rëndësishme që vepron kështu. Bakteriet në bimët e kalbura prodhojnë nxehtësi, kështu që foleja e tij ngrohet. Me qëllim që të mbajë temperaturën konstante, mashkulli bën ajrimin dhe vazhdimisht kontrollon temperaturën e folesë duke ngulur sqepin e tij në këto vrima. Ai bën, gjithashtu, një dalje në formë hinke në sipërfaqen e pirgut të bimëve. Kjo dalje lë shiun të pikojë brenda pirgut gjatë dimrit dhe në këtë mënyrë, e mban atë të njomur. Pasi foleja është gati, femra vjen dhe lëshon vezët e saj në vrimën e hapur.
Megjithatë, temperatura e folesë rritet vazhdimisht gjatë verës, ndaj dhe mashkulli megapod mbulon folenë me rërë. Kjo mënyrë bën të mundur ndalimin e rritjes së nxehtësisë në fole.
Tani, le të shtrojmë një pyetje. Para se të lexonit këto rreshta, a e dinit se nga bimët e kalbura çlirohet nxehtësi? Është e natyrshme që të mos e keni ditur nëse nuk keni qenë informuar nga ndonjë tekst i specializuar. Shumë njerëz nuk e dinë. Megjithatë, megapodët kanë njohuri për këtë fakt. Për më tepër, ata e përdorin këtë njohuri në dobi të pasardhësve të tyre.
Po si është e mundur që një zog të bëjë llogaritje kaq delikate dhe të mençura? Si munden zogj të tillë të marrin masa të tilla parandaluese? Pse kryejnë një detyrë kaq të vështirë për pasardhësit e tyre?
Me qëllim që të bëjë të gjitha këto, një zog duhet të ketë njohuri teknike të një inxhinieri dhe aftësitë intelektuale të një qenieje njerëzore. Natyrisht, një zog nuk ka arsyen dhe trurin për të vepruar si një njeri i mësuar. Ka një fuqi që i drejton zogjtë dhe bën të mundur që megapodët të kryejnë këto detyra që kërkojnë përdorimin e arsyes. Kjo fuqi është Allahu, i Cili krijoi çdo gjë në mënyrën me të përsosur.
Nga sa lexoni në këtë libër, është e lehtë të kuptohet se këto krijesa nuk munden t'i bëjnë të gjitha këto gjëra të mrekullueshme vetë, pa aftësitë dhe ndihmën e dhënë nga Allahu, i Cili ka krijuar gjithçka. Megjithatë, ka njerëz që nuk pranojnë këtë fakt. Allahu na tregon për këta njerëz në Kuran:
Thuaj (o Muhamed): "Kush është zoti i tokës dhe qiejve?" (Ata nuk kanë përgjigje tjetër ndaj) thuaj: "Allahu." Thuaj: "Atëherë si ka mundësi që në vend të tij adhuroni zota të tjerë, të cilët nuk kanë mundësi t'i sjellin as dobi e as dëm vetvetes?" Thuaj: "A është i barabartë i verbëri me atë që sheh? A krahasohet errësira me dritën? A mos vallë ata adhuruan në vend të Allahut zota që kanë krijuar ashtu siç krijon Ai, ndaj dhe ata nuk janë në gjendje të dallojnë krijimin e Allahut nga krijimi i zotave të tjerë?" Thuaj: "Allahu është krijuesi i çdo gjëje. Ai është i vetmi që meriton të adhurohet dhe Ai është ngadhënjyes mbi çdo gjë." (Er-Ra'd: 16)