Ju mund të keni parë foletë e zogjve në pemë, në majë të ndërtesave apo nëpër këndet e ballkoneve. Këto janë foletë e një numri të vogël zogjsh që ju i njihni, por shumë lloje të tjera jetojnë në botë dhe ndërtojnë lloje të ndryshme folesh.
Para së gjithash, zogjtë i ndërtojnë foletë në mënyrë që të jenë të lidhur me mjedisin e tyre natyror. Le të marrim në shqyrtim zogjtë e bregut të detit. Këta zogj i ndërtojnë foletë e tyre në sipërfaqe të ujit e megjithatë foleja nuk prishet. Materialet e përdorura dhe forma e folesë janë të projektuara më së miri, kështu edhe nëse niveli i ujit rritet, foleja dhe të vegjëlit nuk dëmtohen. Këto krijesa kanë aftësi të lindur për të ndërtuar fole dhe nuk kanë nevojë për t'u "specializuar". Ato nuk mund ta kenë mësuar një detyrë të tillë nga përvoja, me kalimin e kohës. Nëse do të përpiqeshin të eksperimentonin dhe nëse do të gabonin, foleja do të fundosej në ujë. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodh kurrë. Të gjithë zogjtë bregdetarë i ndërtojnë foletë e tyre në të njëjtën mënyrë që nga dita e parë që janë shfaqur.
Zogjtë ndërtojnë foletë e tyre në vende të sigurta të zgjedhura prej tyre. |
Disa zogj që jetojnë në moçale i ndërtojnë muret e foleve të tyre të larta, në mënyrë që vezët të mos bien për shkak të erës. Si është e mundur që këta zogj janë në dijeni të rrezikut të rënies se vezëve?
Një lloj tjetër zogu që jeton në zona të thata e ndërton folenë e tij nëpër shkurre dhe jo në tokë. Arsyeja pse ai vepron kështu, është ndryshimi i temperaturës. Temperatura nëpër shkurre është dhjetë gradë më e ulët se në tokë. Shumëkush nga ne nuk është në dijeni të ndryshimit të temperaturës ndërmjet shkurreve dhe tokës, por këta zogj e dinë dhe mbrojnë veten dhe të vegjëlit e tyre nga nxehtësia e madhe duke ndërtuar foletë në vende më të freskëta.
A e keni pyetur ndonjëherë veten se si zogjtë, të cilët nuk kanë vetëdije dhe aftësi mendore, mund të njohin hollësi të tilla?
Këto sjellje të zogjve mund të krahasohen me ato të inxhinierëve që janë arsimuar dhe specializuar për vite me radhë në fushat e tyre. Ndërsa ndërtojnë një shtëpi, inxhinierët marrin parasysh hollësi të tilla si madhësia e ndërtesës, materialet që do të përdoren dhe vendndodhjen. Vetëm atëherë ndërtimi mund të fillojë. Siç e patë edhe në shembullin e përmendur më lart, zogjtë i ndërtojnë foletë e tyre sipas një plani. Por atyre nuk u nevojitet arsim. Ata veprojnë të frymëzuar nga Allahu dhe zbatojnë detyrat e tyre me shumë lehtësi. Këta zogj dhe ajo çka bëjnë janë një provë e krijimit të përkryer të Allahut, të Gjithëditurit që i frymëzon ata të bëjnë gjithçka.
Çdo gjë në qiej dhe në tokë i përket vetëm Atij. Allahu është Ai që nuk ka nevojë për asgjë. Ai është i Plotfuqishmi, i Falenderuari. (El-Haxh: 64) |