Termitet janë insekte të vogla, të ngjashme me milingonat. Ato janë shumë të shkathta. Foletë e tyre, që në këto figura ngjajnë si kulla të larta, janë ndërtuar nga këto gjallesa të vogla. Gjithçka është e përkryer dhe pa asnjë gabim. Termitet i ndërtojnë ato sipas një plani të caktuar. Dhomat e veçanta për të vegjëlit, për ruajtjen e ushqimit apo për mbretëreshën janë vetëm disa nga pjesët e një foleje termitesh. Sistemi i ventilimit është më i rëndësishmi. Termiteve, lëkura e të cilave është shumë e hollë, u nevojitet ajër i lagësht. Për këtë arsye, atyre u duhet të mbajnë temperaturën dhe lagështinë e folesë në një nivel të caktuar, përndryshe ngordhin. Ato bëjnë të mundur qarkullimin e ajrit nëpër fole nëpërmjet disa kanaleve të veçanta, duke përdorur ujin që vjen nga tunelet e nëntokës të hapura nga ato vetë. Në këtë mënyrë rregullohet temperatura dhe lagështia.
A e përfytyroni dot se sa i vështirë është ky proces? Termitet duhet të veprojnë në një rregull të caktuar, duke pasur vëmendjen për shumë gjëra së bashku. Përveç kësaj, çfarë përmendëm deri tani është vetëm një përmbledhje e shkurtër e gjërave të shumta që bëjnë termitet.
Një karakteristikë tjetër e termiteve është ngritja e folesë deri në shtatë metra lartësi. Termitet janë në alarm sa herë që formohet ndonjë vrimë në folenë e tyre. Duke përplasur kokat në mur, termitet roje japin alarmin te të gjithë anëtarët e tjerë të kolonisë. Pas këtij alarmi, vezët transferohen në vende të sigurta. Hyrja e dhomës ku jetojnë mbreti dhe mbretëresha bllokohet me një mur. Pjesa e dëmtuar rrethohet nga ushtarët termite, të cilët shoqërohen nga punëtoret që sjellin materialin për të rindërtuar murin. Në pak orë, zona e shkatërruar është rregulluar. Pastaj ndërtohen dhomëzat e brendshme. Termitet veprojnë sipas një plani të paracaktuar dhe secili anëtar i kolonisë i zbaton detyrat e veta pa shkaktuar asnjë rrëmujë.
Fakti se termitet mund t'i kryejnë gjithë këto veprime në një kohë të shkurtër është tregues i komunikimit të përkryer ndërmjet tyre. Ekziston edhe një aspekt tjetër i mrekullueshëm i jetës së termiteve që punojnë me një rregull të tillë dhe ndërtojnë mjedise të ngjashme me gradaçelat: Ato janë të verbra. Ndërsa kryejnë detyrat e tyre, ato nuk shohin asgjë. Si është e mundur që këto krijesa të veprojnë me kaq shkathtësi dhe të vënë në jetë plane të tilla?
Përgjigjja që evolucionistët i japin kësaj pyetjeje është se këto insekte i kanë fituar të gjitha këto aftësi "rastësisht". Kjo përgjigje nuk ka të bëjë aspak me të vërtetën, sepse edhe një pjesë e vetme e rregullit në koloninë e termiteve, p.sh. kanalet e ventilimit, është e mjaftueshme për të provuar që një sistem i tillë nuk mund të shfaqet rastësisht. Pa asnjë dyshim, termitet e verbëra nuk mund ta sigurojnë vetë këtë rregull të përsosur. Atyre u është dhënë nga dikush tjetër aftësia për të vepruar.
Allahu ka përmendur emrat e disa kafshëve në Kuran, duke na nxitur të mendojmë rreth tyre. Për shembull, bleta është dhënë si shembull në suren "En-Nahl", ku thuhet se bleta, e cila prodhon mjaltë, është mësuar nga Zoti për atë që i duhet të bëjë:
Zoti yt i dha instikt bletës: "Ndërto shtëpi nëpër kodra, pemë dhe gjithashtu nëpër kulmet që njerëzit ndërtojnë. Pastaj ha nga të gjitha frutat dhe futu nëpër rrugët e mësuara nga Zoti yt!" Prej barkut të saj del mjaltë me ngjyra të ndryshme, në të cilin ka shërim për njerëzit. Në këto fakte ka argumente dhe mësime për njerëzit që mendojnë. (En-Nahl: 68-69)
Ashtu si bletët që përmenden në ajetet e mësipërme, termitet jetojnë sipas mënyrës që u ka mësuar Allahu, i Cili krijoi komunikimin e përkryer ndërmjet këtyre krijesave të verbëra, duke bërë të mundur që secila nga një milion termitet e çdo kolonie të kryejë detyrat përkatëse.