Një energji shumë e madhe kërkohet për të fluturuar. Zogjtë janë krijesa të vogla dhe energjia që ata mund të mbajnë në trupin e tyre është shumë e vogël. Zogjtë e ruajnë pjesën më të madhe të energjisë me anë të zbatimit të teknikave të veçanta të fluturimit. Të fluturuarit në ajër pa përplasur krahët është një nga teknikat e tyre. P.sh., korbat përdorin një metodë të veçantë duke u mbështetur në rritjen e nxehtësisë së rrymave të ajrit me qëllim që të arrijnë në një lartësi më të favorshme. Duke zbritur nga një rrymë ajri e nxehtë në një tjetër, ata mund të fluturojnë për një kohë shumë të gjatë.
Zogjtë shtegtarë, gjithashtu, përdorin teknikat e zbritjes për të ruajtur energjinë. Lejlekët përdorin rrymat e nxehta gjatë migrimit. Lejlekët e bardhë të Europës Qendrore shtegtojnë për të kaluar dimrin në Afrikë dhe përshkojnë një distancë rreth 7,000 kilometra. Nëse do të përplasnin krahët e tyre gjatë gjithë rrugës, do t'u duhej të pushonin disa herë gjatë udhëtimit. Megjithatë, lejlekët e bardhë kryejnë udhëtimin e tyre në tri javë duke zbritur ndërmjet rrymave të nxehta për 6-7 orë në ditë dhe kështu ruajnë shumicën e energjisë.
Meqenëse uji i detit ngrohet më ngadalë se toka, mbi det nuk ka rryma të nxehta. Për këtë arsye, zogjtë shtegtarë pëlqejnë të shtegtojnë mbi tokë në vend të udhëtimeve të gjata mbi det. Ju mund të keni parë grupe lejlekësh që mbulojnë qiellin në kohë të veçanta të vitit. Kjo ndodh sepse ata preferojnë të shtegtojnë mbi tokë. Ju, ndoshta, mund të mos jeni në dijeni të faktit që mbi det nuk ka ajër të ngrohtë, por lejlekët e dinë këtë shumë mirë.
Në anën tjetër, albatrosët, pulëbardhat dhe zogj të tjerë të detit kursejnë energji duke përdorur rrymat e ajrit që shkaktohen nga valë të larta. Këta zogj deti që fluturojnë mbi valë, përfitojnë nga forca ngritëse e ajrit që i çon lart.
Siç shikohet dhe në shembujt e dhënë, të gjithë zogjtë janë në dijeni mbi teknikën që duhet të përdorin, ku do të shkojnë dhe cilën rrugë do të marrin. Asnjë ngatërresë nuk krijohet gjatë fluturimit të tyre, sepse Allahu frymëzon çdo krijesë me njohuritë që i nevojiten. Në Kuran, Allahu përmend lëvizjet e zogjve në ajër dhe thotë:
A nuk e shihni se çdo gjë në qiej dhe tokë e madhëron Allahun, madje edhe zogjtë me krahët e hapur? Allahu e di mënyrën se si luten dhe madhërojnë të gjitha krijesat. Allahu e di mjaft mirë se çfarë veprojnë. (En-Nur: 41)