Nxehtësi ekstreme që arrin deri në 50-60oC ditën, i ftohtë i madh gjatë natës, thatësirë që mund të zgjasë me javë, madje me muaj të tërë, si dhe shumë pak ushqim. Ju mund të mendoni se është e pamundur të jetosh në këtë vend. Këto mjedise kaq të vështira janë shkretëtirat dhe, në kundërshtim me çfarë mund të mendoni, atje jetojnë shumë gjallesa. Më poshtë do të përmendim vetëm disa prej tyre.
Një prej kafshëve të shkretëtirës është dhelpra ngjyrë kremi, e cila është nga llojet më të vogla të dhelprave (në faqen tjetër). Veshët e kësaj dhelpre janë më të mëdha se ato të dhelprave të tjera. Këta veshë të mëdhenj janë shumë të dobishëm për dhelprën që jeton në shkretëtirat e Afrikës dhe Arabisë. P.sh., dhelpra mund ta gjejë shumë lehtë vendin e gjahut në saje të veshëve të saj të ndjeshëm. Gjithashtu veshët e ndihmojnë kafshën që të mbrohet nga temperaturat e larta.
Një tjetër gjallesë që jeton në shkretëtirë është hardhuca turilopatë (më poshtë). Për të ftohur bishtin dhe këmbët, kjo krijesë lëviz nëpër rërën e nxehtë sikur të jetë duke kërcyer. Duke u mbështetur te bishti, ajo ngre njërën nga këmbët e përparme dhe një nga të prapmet. Disa sekonda më vonë është radha e dy këmbëve të tjera. Me formën e saj të rrallë të hundës dhe trupit, hardhuca lëviz në pirgje rëre sikur të jetë duke notuar. Këmbët e saj të mëdha bëjnë të mundur që të vrapojë shpejt nëpër rërë, pa u dëmtuar nga nxehtësia.
Bretkosat e shkretëtirës, që jetojnë në Australi, janë si rezervuarë uji. Kur bie shi, një bretkosë shkretëtire mbush qeset e trupit të saj me ujë. Pastaj ajo vetëgroposet në rërë dhe pret deri sa të bien shirat e tjera. Në saje të ujit që ajo ruan në qeset e saj, kjo lloj bretkose mund të mbijetojë në shkretëtirë.
Trupi i gjallesave të shkretëtirës është krijuar posaçërisht për të jetuar në shkretëtirë dhe ato kanë karakteristika tërësisht të ndryshme nga krijesat e tjera. Gjithashtu, këto gjallesa, në pamje të parë, e dinë shumë mirë si të veprojnë për të mbrojtur veten e tyre nga nxehtësia e shkretëtirës dhe si të përballojnë etjen. Si mundet që një bretkosë ose hardhucë të ketë njohuri të tilla? Si mundet që ato të kenë strukturën e duhur të trupit që e ndihmon të mbijetojë në vende të tilla?
Kafshë të tilla nuk mund t'i dinë këto gjëra nga vetja. Ato as nuk mund të krijonë rezervuare uji në trupat e tyre, as nuk mund të zmadhojnë veshët për t'u mbrojtur nga nxehtësia. Me qëllim që të mbijetojnë në shkretëtirë, këto krijesa duhet t'i kenë pasur këto karakteristika që kur kanë ardhur në ekzistencë. Përndryshe, ato do të zhdukeshin shpejt nga nxehtësia e madhe, etja ose uria. Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur. Për më tepër, të gjitha gjallesat e shkretëtirës kanë aftësinë të durojnë kushtet e saj. Secili lloj ka karakteristikat e tij të veçanta që i bëjnë të mundur të mbijetojë në shkretëtirë.
Të gjitha këto na çojnë në një të vërtetë. Ai që i krijoi gjallesat e shkretëtirës së bashku me tiparet që ato kanë sot është Allahu. Ai ka fuqinë të bëjë çfarë të dëshirojë. Në një ajet të Kuranit, Allahu na bën të ditur se gjithçka për Të është shumë e lehtë:
Ai është krijuesi i qiejve dhe i tokës. Kur Ai vendos për diçka, vetëm thotë: "Bëhu!" dhe ajo bëhet. (El-Bekare: 117)