Në tokë jeton një numër i pafund kafshësh. Nga qentë dhe macet që i shohim çdo ditë, deri te kafshët që jetojnë nëpër pyje, çdo gjallesë ka karakteristika të mrekullueshme dhe aftësi të habitshme. Për shembull, ne habitemi kur shohim se si bletët mund të ndërtojnë hojet e përsosura të mjaltit dhe të bëjnë llogaritë përkatëse, si të ishin matematikane të afta. Kur shohim se si vepron një krokodil apo luaneshë me këlyshin e saj, çuditemi se si kafshë të tilla mund të sillen me kaq dashuri. Ne kërkojmë një përgjigje për pyetjen se si zogjtë e vegjël që fluturojnë mijëra kilometra gjatë një shtegtimi pa ndalesa, kryejnë këtë detyrë të vështirë. Sa më shumë informacione të marrim, aq më të mrekulluar mbetemi.
Çdo gjallesë ka një ndërtim të veçantë. Disa prej tyre fluturojnë, disa notojnë, disa ecin, disa zvarriten. Për shembull, struktura e trupit të një peshku është pikërisht ashtu siç i nevojitet atij për të jetuar nën ujë. Ai ka organet, sytë dhe lëkurën e përshtatshme që i bëjnë të mundur të jetojë nën ujë. Mushkëritë dhe pendët e zogjve kanë një ndërtim që i mundëson të fluturojnë. Nuk ka asnjë dyshim se këto krijesa nuk i kanë fituar vetvetiu këto karakteristika, me të cilat kryejnë detyra të jashtëzakonshme. Ato as nuk mund t'i kenë mësuar rastësisht detyrat që kryejnë. Nuk është e mundur për to të dinë kaq shumë gjëra, nëse dikush nuk u ka mësuar gjithçka që bëjnë. Ekziston një qenie e lartë dhe e fuqishme që na krijoi neve, sikurse edhe qeniet e tjera të gjalla. Kjo qenie është Zoti, i Cili u ka dhënë gjallesave të gjitha tiparet që zotërojnë.
Ju mund t'i njihni dhe t'i pranoni këto fakte, megjithatë shumë njerëz nuk janë të këtij mendimi. Ata pretendojnë që gjallesat i kanë fituar rastësisht të gjitha ato tipare të mrekullueshme. Ata i përmbledhin këto deklarata të pakuptimta nën emërtimin e "teorisë së evolucionit". Për më tepër, edhe pse të gjitha degët e shkencës kanë zbuluar pavlefshmërinë e teorisë se evolucionit, këta njerëz nuk heqin dorë nga pretendimet e tyre.
Në këtë libër do të zbulojmë disa nga tiparet e mrekullueshme të disa gjallesave. Duke sjellë edhe shembuj të pohimeve të evolucionistëve, do të tregojmë, gjithashtu, se sa e pakuptimtë është kjo teori. Ndërsa do të lexoni librin, do të çuditeni kur të shihni se si gabojnë madje edhe shumë profesorë dhe shkencëtarë që besojnë në këtë teori.
Në fakt, do të ishte me shumë interes që të dhënat rreth gjallesave të grumbulloheshin në vëllime të tëra, por në këtë libër do të shqyrtohen vetëm disa shembuj. Megjithatë, edhe pse do të jenë pak shembuj, ju do të jeni në gjendje të kuptoni Madhështinë e Allahut që i krijoi këto krijesa të mrekullueshme.
Ai është Allahu – Krijuesi, Shpikësi, Dhënësi i Formës. Atij i përkasin emrat më të bukur. Çdo gjë në qiej dhe në tokë e madhëron Atë. Ai është Ngadhënjyësi, i Dituri. |