Qukapikët i ndërtojnë foletë e tyre dhe sigurojnë ushqimin duke çukitur nëpër pemë. Shpejtësia, me të cilën një qukapik hap vrima nëpër pemë është afërsisht 40 km/orë. Kjo, në fakt, është një shpejtësi e jashtëzakonshme që, në kushte normale, mund ta dëmtonte qukapikun. Megjithatë, ai ka një sistem të veçantë mbyllës në sqepin e vet, që e ndihmon të mos dëmtohet. Nëse ky sistem nuk do të ekzistonte, sqepi i qukapikut do të ndahej më dysh për shkak të shpejtësisë së madhe. Përveç kësaj, nëse ndikimi i goditjes do të shkonte drejt e në tru, zogu do të humbiste ndjenjat. Mirëpo një gjë e tillë nuk ndodh kurrë, pasi Allahu e ka krijuar zogun së bashku me gjithçka që i nevojitet. Truri i qukapikut është i vendosur në të njëjtin nivel me sqepin e tij. Muskujt në pjesën e ulët të sqepit veprojnë si "amortizatorë" dhe amortizojnë tronditjet që shkaktohen gjatë çukitjes nëpër pemë.
Deri tani kemi përmendur disa karakteristika të qukapikut. Përveç tyre, çdo qukapik ka edhe karakteristika të tjera të jashtëzakonshme. Një lloj qukapiku fsheh lëndë nëpër pemë. Gjatë verës, qukapikët shpojnë "vrima" në një kërcu peme të tharë dhe në fund të verës i mbushin këto vrima me fara, me të cilat do të ushqehen gjatë dimrit. Duke vepruar si një çekan, ai vendos një kokërr drithi në secilën vrimë. Kjo i merr goxha kohë qukapikut, sepse ai përpiqet të gjejë kokrrën që përshtatet me vrimën e hapur. Nëse vrima është e madhe dhe kokrra është e vogëI, atëherë ajo mund të merret shumë lehtë nga zogjtë e tjerë. Nëse vrima është më e vogël se kokrra e drithit, atëherë ajo do të dëmtohet ndërsa futet me forcë brenda. Për këtë arsye, duhet shumë kohë për qukapikun që të vendosë kokrrën e drithit.
Por jo gjithçka mbaron me kaq. Qukapiku ka ende shumë për të bërë. Meqë me kalimin e kohës kokrrat e drithit thahen, ato bëhen edhe me të vogla. Kjo do të thotë që qukapikët duhet të vendosin kokrra drithi të thata nëpër vrima.
Gjithashtu, duhet pasur parasysh se qukapikët nuk mbledhin vetëm 5 apo 10 kokrra drithi. Një qukapik drithërash mund të vendosë deri në 50,000 kokrra drithi në një pemë të madhe.
Duke medituar mbi këto karakteristika interesante, ne kuptojmë se ekziston një fuqi e mbinatyrshme që u mëson këtyre qukapikëve të veprojnë kështu. Kjo fuqi është Allahu. Ai ua krijoi sqepin qukapikëve aq të fortë, sa të shpojnë lëvoren e pemëve. Është Allahu Ai që u mësoi atyre çdo gjë që bëjnë. Nuk ka asnjë zot apo krijues tjetër përveç Allahut. Ai na bën të ditur në Kuran se është Krijuesi i gjithçkaje:
Ky është Allahu, Zoti juaj. Askush nuk e meriton adhurimin përveç Tij, Krijuesi i çdo gjëje, ndaj adhuroni vetëm Atë. Ai është vëzhgues për çdo gjë. (El-En'am: 102)