Ne kemi nevojë për udhëzues kur udhëtojmë në një vend të panjohur. Në veçanti, kur nuk dimë vendin ku po shkojmë, natyrisht që duhet të kemi një busull dhe një hartë. Harta na tregon se ku jemi, ndërsa busulla nga duhet të shkojmë. Ne e gjejmë rrugën duke përdorur këto mjete, si dhe duke pyetur njerëzit e tjerë. A e keni pyetur ndonjëherë veten se si e gjejnë rrugën e tyre krijesat e tjera? Keni pyetur veten se si një milingonë kërkon ushqim në shkretëtirë dhe kthehet përsëri në folenë e saj?
Milingonat e zeza të shkretëtirës që jetojnë në brigjet mesdhetare të Tunizisë janë ndër ato gjallesa që i ndërtojnë foletë e tyre në shkretëtirë. Këto milingona janë shumë të afta në gjetjen e rrugës në shkretëtirën e pafund dhe në kthimin në fole pa ndihmën e një busulle ose harte.
Pasi lind dielli, temperatura në shkretëtirë mund të arrijë deri në 70OC. Milingonat lënë folenë e tyre për të gjetur ushqim mes këtij të nxehti përvëlues. Duke ngurruar, duke u kthyer e rrotulluar shpesh rreth vetes, ato ndjekin një rrugë gjarpëruese brenda një zonë që mund të jetë deri në 200 metra larg folesë. Ju mund ta shikoni këtë rrugë në hartë. Por mos mendoni që një milingonë mund të humbasë rrugën për shkak të këtyre zigzakeve. Në çastin që gjendet burimi i ushqimit, milingona ndjek një rrugë të drejtë dhe kthehet në fole. Duke marrë parasysh përmasat e tyre, ky udhëtim i milingonave mund të krahasohet me kthimin e një njeriu në pikën e tij të nisjes duke marrë një rrugë të drejtë afro 35-40 kilometra larg në shkretëtirë. Si ndodh, atëherë, që një milingonë është e suksesshme në kryerjen e kësaj detyre, kur kjo është praktikisht e pamundur edhe për një njëri?
|
Shenjat e ndryshme, si pemët, shkëmbinjtë, lumenjtë ose liqenet që ndihmojnë në gjetjen e rrugës nuk ekzistojnë në shkretëtirë. Ka vetëm rërë në çdo anë. Edhe po të kishte shenja të tilla, nuk do bënte ndonjë ndryshim, sepse do të ishte e pamundur për një milingonë që t'i mbante mend këto shenja dhe t'i përdorte për të gjetur rrugën. Duke menduar në këtë mënyrë, çdo njeri mund ta kuptojë mirë vështirësinë e detyrës që kryen një milingonë. Ajo mund ta kryejë këtë detyrë të vështirë në saje të strukturës së veçantë të trupit të saj.
Në sytë e milingonës gjendet një sistem i posaçëm orientimi. Ky sistem, të cilin Allahu e ka vendosur te milingona, është shumë më i përparuar se pajisjet mekanike që ruajnë drejtimin. Duke qenë e aftë të shikojë disa rreze të pakapshme nga njeriu, milingona mund të vendosë drejtimin dhe të dijë se ku ndodhet veriu e jugu. Në saje të kësaj aftësie, nuk është e vështirë për të që të gjejë ku ndodhet foleja e saj dhe të kthehet tek ajo.
Njerëzit janë bërë kohët e fundit të vetëdijshëm për veçoritë dhe karakteristikat e dritës, ndërsa milingonat e njohin dhe e përdorin një karakteristikë të dritës që kur lindin. Natyrisht që një ndërtim i tillë i përsosur si syri i milingonës nuk mund të jetë rezultat i rastësisë. Syri i milingonës ka qenë i ndërtuar në këtë mënyrë që kur ajo ka ardhur në ekzistencë. Përndryshe, milingona nuk do të mund të kthehej në fole në mes të shkretëtirës së nxehtë dhe kjo do të vinte në rrezik jetën e saj. Natyrisht, sytë e të gjitha milingonave të shkretëtirës janë të pajisura me këtë sistem që ditën e parë që ato dalin në jetë. Allahu, i Gjithëfuqishmi, është Krijuesi i syve të tyre.