A e dinit ju që këta zogj zbukurojnë foletë e tyre? Ashtu si qeniet njerëzore që stolisin vendin ku jetojnë, disa lloje zogjsh zbukurojnë foletë e tyre. Sjellja e këtyre zogjve është e mrekullueshme. Ndonjëherë ata stolisin foletë e tyre me objekte zbukuruese që mbledhin andej-këndej ose pikturojnë muret e foleve të tyre me fruta me ngjyrë.
Zogu tendë, një lloj zogu australian që është një nga shpendët që pikturon folenë e tij është me të vërtetë "ekspert i arkitekturës". Masa e mashkullit është sa e një pëllumbi. Ndërsa ndërtojnë folenë e tyre, ata ndërthurin dhjetëra degë të holla në dy radhë, secila përballë tjetrës, siç shihet edhe në figurë. Në këtë mënyrë, ata ndërtojnë një lloj tende. Zogu i grumbullon të gjitha materialet e marra nga mjedisi rrethues përballë kësaj tende. Materialet janë nga më të ndryshmet. Ato mund të jenë krahu i një fluture, penda e ndonjë zogu, çelësat e një makine ose disa letra paketimi. Ky lloj zogu është i interesuar veçanërisht për objektet në ngjyrë të kaltër. Siç mund ta shihni edhe në figurë, ai ka grumbulluar në folenë e tij të gjitha objektet e kaltra që ka gjetur.
Përveç kësaj, ai përdor edhe disa mënyra të tjera stolisjeje. Zogu tendë pikturon muret e folesë se tij. Doni ta dini se si? Ai mbledh bimë të ngjyrave të ndryshme dhe pikturon muret duke përdorur copa prej tyre. Ndonjëherë përdor qymyr që e përzien me jargët e veta. Ai i pikturon muret e folesë se tij, të ndërtuara me degë, edhe me një copë lëvore druri që mban në gojë.
Allahu është Krijuesi i të gjitha llojeve të zogjve, qofshin këta të rrallë si zogjtë tendë, qofshin ndër ata që i shohim më shpesh, si pëllumbat dhe harabelat. Allahu i Gjithëlavdishëm u mëson zogjve të vegjël si të ndërtojnë dhe zbukurojnë folenë e tyre. Ajo çka neve na takon të bëjmë është të mendojmë në mënyrë të veçantë mbi këto karakteristika të kafshëve për të kuptuar më mirë fuqinë e madhe të Allahut, i Cili thotë në një ajet kuranor:
Ai ka bërë gjithçka në qiej dhe në tokë të dobishme për ju. Gjithçka është nga Ai. Në këtë fakt ka argumente për njerëzit që mendojnë. (El-Xhathije: 13)