Fundi i Kohës (apo Ditët e Fundit) mund të mos jetë nocion i njohur për shumë njerëz. Prandaj, së pari do të japim një shpjegim të shkurtër për të. Fundi i Kohës domethënë ‘epoka e fundit’. Sipas literaturës Islamike, ajo është një periudhë kohe që është afër Fundit të botës.
Shenjat në Kur’an dhe përmendjet e shumta të Fundit të Kohës të dhëna nga literatura e Haditheve na sjellin në një përfundim shumë të rëndësishëm. Vargjet Kur’anore dhe hadithet tregojnë se ekzistojnë dy faza të Fundit të Kohës. Faza e parë është një periudhë kur gjithë njerëzit do të vuajnë probleme materiale dhe shpirtërore. Pas kësaj, Bota do të hyj në një periudhë të shpëtimit të quajtur ‘Epoka e artë,’ e cila karakterizohet me begati dhe mirësi për shkak të mbizotërimit të fesë së vërtetë. Me përfundimin e Epokës së artë, do të ketë një rrënim të shpejtë shoqëror dhe njerëzit do të fillojnë të presin Fundin e Botës.
Në këtë libër, do të ekzaminojmë Fundin e Kohës në dritën e ajeteve dhe haditheve. Është e qartë se shenjat në fjalë tani kanë filluar të shfaqen njëra pas tjetrës, pikërisht ashtu siç përshkruhet në këto referenca. Ardhja e këtyre shenjave e lajmëruar katërmbëdhjetë shekuj më parë janë ngjarje madhështore që shtojnë besimin dhe besnikërinë e besimtarëve ndaj Allahut. Pa dyshim se nuk është rastësi që, në një periudhë aq të shkurtër kohe, të gjitha këto shenja të shfaqen njëra pas tjetrës. Këto shenja janë lajm i mirë për robërit e Allahut.
Rrëfimi i ngjarjeve që përshkruhen në faqet në vazhdim është përgatitur në pajtim me udhëzimin e ajetit:
Dhe thuaj: “Falënderimi qoftë për Allahun, Ai do t’jua tregojë shenjat e Tij e ju do t’i njihni ato!” E Zoti yt, nuk është i pakujdesshëm ndaj veprave që bëni ju. (Sure Naml: 93)
Një tjetër çështje që duhet ta theksojmë këtu është se Allahu di më së miri çdo gjë. Si për çdo temë tjetër, ne nuk kemi dijeni tjetër veç asaj për të cilën Ai na bën me dije.