logo
HARUN YAHYA

PASOJAT QË VUAJNË ATA TË CILËT NUK I FRIKËSOHEN ALLAHUT

Pasojat që përjetojnë në Tokë

Allahu do t'i bëjë ata njerëz të cilët nuk i frikësohen Atij dhe të cilët nuk janë të vëmendshëm ndaj Tij të përjetojnë si vuajtje fizike ashtu edhe shpirtërore në këtë dynja. Në realitet jetët e tyre do të shndërrohen në një varg të gjatë fatkeqësish fizike dhe emocionale.

Pavarësisht nga të gjitha veprat e këqija të tyre disa prej tyre e lejojnë vetveten të mashtrohen nga fakti se ata mund të kenë qenë të bekuar me dhunti të tilla si pasuria apo pamja e bukur. Andaj ata këmbëngulin në mos-përmbajtjen e tyre, duke e mashtruar vetveten se gjërat nuk mund të ishin më mirë. Mirëpo, ata nuk janë të vetëdijshëm se çdo gjë që bëjnë regjistrohet në çdo moment, dhe se në Xhehenem, Allahu do t'i ballafaqojë me të gjitha këto si burim i ndëshkimit të pambarim. Allahu përshkruan gjendjen e tyre në Kuran:

Andaj, lëri ata në padijen e tyre për një farë kohe! A mos mendojnë ata që Ne, duke u ardhur në ndihmë me pasuri dhe djem, po nxitojmë drejt tyre me të mira?! Kurrsesi, por ata nuk janë të vetëdijshëm (për këtë). (Sure Muminun: 54-56)

Por, ndëshkimi nuk është i njëjtë për të gjithë ata. Disa prej tyre do të përjetojnë ndëshkimet e tyre në Tokë. Ata do të jenë në një gjendje të humbjes së vazhdueshme duke përjetuar sëmundje, aksidente, paaftësi, kriza financiare dhe humbjen e të dashurve të tyre. Pasi që ata nuk reflektojnë për këto ngjarje si sprova nga Allahu, ankthi me të cilin ndeshen shndërrohet në një formë ndëshkimi për ta. Allahu nuk do të lejojë kurrë që diçka të shkoj si duhet për këta njerëz. Ata do të përjetojnë vazhdimisht mungesa dhe pengesa. Pa marr parasysh se a përfshihen në diçka të madhe apo të vogël, ajo do të rezultojë me humbje materiale apo shpirtërore. Pastaj, Allahu nxjerr përfundimin në Kuran se shpërblimi i tyre do të jetë një jetë plot ankth:

Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër. (Sure Ta Ha: 124)

Gjendja e errësirës shpirtërore e përjetuar nga njerëzit të cilët nuk i frikësohen Allahut reflektohet në fytyrat e tyre. Kur kjo mungesë e ndriçimit shpirtëror bashkohet me fjalimin e tyre të shtrembëruar, natyra e trazuar e ekzistencës së tyre bëhet e qartë. Ata janë mishërimi fizik i dekadencës dhe çoroditjes shpirtërore. Allahu kësaj i është referuar në Kuran si "poshtërim":

Kurse ata që bëjnë vepra të këqija, do të kenë dënim gjegjës për atë të keqe. Ata do t'i mbulojë poshtërimi, pa pasur askënd që t'i mbrojë nga dënimi i Allahut, me fytyrat e tyre si të ishin të mbuluara me copa të errëta nate. Këta do të jenë banorët e zjarrit dhe aty do të qëndrojnë përgjithmonë. (Sure Junus: 27)

Një tjetër humbje që bëhen të vuajnë është tërheqja subtile e intelektit dhe aftësisë së tyre për të kuptuar. Ata nuk mund të kuptojnë madje as edhe të vërtetat më themelore. Për shembull, ata nuk janë në gjendje të kuptojnë arsyet që qëndrojnë pas pakënaqësisë, frikës, ankthit dhe zhgënjimit të tyre.

Shumëllojshmëria e ndëshkimeve që do të pësojnë ata të cilët nuk e kanë frikën e Allahut është pambarim e larmishme. Allahu krijoi njeriun dhe është plotësisht i vetëdijshëm se çka shkakton agoninë më të madhe. Prandaj, njeriu vetëm mund të përpiqet të imagjinoj dhimbjen dhe vuajtjen e shkaktuar nga urrejtja e Allahut:

...Urrejtja e Allahut ndaj jush është më e madhe se urrejtja juaj ndaj vetvetes, kur jeni thirrur në besim, por keni mohuar. (Sure Gafir: 10)

S'është nevoja të thuhet që askush me mendje të shëndoshë nuk do të këmbëngulte në sjelljen dhe qëndrimet që do t'i shpinin ata drejt ndëshkimit të Allahut. Paaftësia e njeriut për tu përballur madje me shqetësimet të përditshme, të rëndomta është provë e qartë e kësaj dobësie. Për shembull, është krejtësisht e kuptueshme që një njeri do ta konsideronte absolutisht të padurueshme dhimbjen torturuese. Mirëpo, është po ashtu e vërtetë se nëse njeriut i duhet të dëgjoj, madje edhe nga largësia, klithmën e dikujt në agoni mjafton për të shkaktuar një ankth të papërshkrueshëm. Kjo për arsye se njerëzimi nuk është krijuar për t'i qëndruar dhimbjes shpirtërore dhe fizike, frikës apo tendosjes. Ne nuk mund të durojmë që të jemi të mbyllur në hapësira të ngushta për një kohë të gjatë apo tu ekspozohemi erërave kutërbuese, apo dhimbjes së madhe të stomakut ose dhimbjes së dhëmbit. Duhet të kemi parasysh se këto nuk janë forma të ndëshkimit, por më tepër, vuajtje të rëndomta të cilat formojnë një pjesë të jetës së përditshme.

Pavarësisht nga këto të vërteta të qarta, njerëzit në përgjithësi çojnë një jetë shumë të largët nga frika e Allahut për arsye të gjendjes së tyre të pakujdesisë dhe pamendësisë. Mirëpo, dhimbjet shpirtërore dhe fizike të cilat përjetohen në Tokë janë vetëm një shembull i vogël i ndëshkimit që do të pësojnë në Xhehenem dhe shërbejnë vetëm si një shembull dhe paralajmërim. Këta njerëz nuk kanë kurrfarë kujdesi për pushtetin dhe forcën e pafund të Allahut, e megjithatë, kur ata i arrin vdekja, ata do të ndiejnë madhështinë e Allahut me tërë forcën dhe ashpërsinë e saj dhe do të kaplohen nga një frikë e cila është e papërshkrueshme dhe e pakrahasueshme me çfarëdo që përjetohet në Tokë.

Përveç ndëshkimeve individuale, Kurani është përplot me shembuj të grupeve të njerëzve të cilët janë zhdukur për arsye të ndëshkimeve të dërguara prej Allahut. Këta njerëz u zhdukën për një çast për shkak të kryengritjes dhe mosbindjes ndaj kufijve të Allahut.

Allahu ka dërguar vorbulla ere kundër disave, të cilat i kanë ndarë më dysh shtëpitë e tyre, ai ka dërguar një klithmë, e cila i ka rrafshuar qytetet e tyre. Në lidhje me tërmetet, aq shumë grupe njerëzish janë varrosur me gjithë pasurinë e tyre, ndërsa të tjerët janë fundosur dhe të tjerët janë shndërruar në gurë kur janë mbështjellur nga llava e nxehtë. (Për informacion të mëtejmë, ju lutem shihni Kombet e zhdukura nga Harun Jahja, Botuesit Taha (Taha Publishers), Londër, botimi i 5-të i vitit 2003)

Gjendja e tyre në Ahiret

Njerëzit kanë një kohë shumë të kufizuar në Tokë prej rreth 60 deri 70 vjet. Sa çel e mbyll sytë, kanë kaluar 50 vjet jete të njeriut: njeriu ka mbaruar shkollimin, ka gjetur punë të mirë, ka blerë veturë të mirë, është martuar si duhet, ka blerë shtëpi, ka pasur disa fëmijë dhe trupi i tij është mbuluar me rrudha. Me rreth pesë deri 10 vjet të mbetura, njeriu ndjen afrimin e vdekjes. Megjithatë, ajo që është më e habitshme është se disa njerëz do të vazhdojnë të mohojnë pashmangshmërinë e saj dhe bëhen të vendosur që ato disa vite që ju kanë mbetur t'i kalojnë pa menduar për vdekjen. Allahu paralajmëron njerëzit të cilët janë në këtë gjendje:

E sa mirë do të dëgjojnë e do të shohin atë Ditë, kur do të vijnë te Ne! Por, sot keqbërësit janë në humbje të qartë! Paralajmëroji ata (o Muhamed) për Ditën e Pikëllimit, kur do të japin llogari, ndonëse tani ata janë të shkujdesur dhe nuk besojnë. (Sure Merjem: 38-39)

Në fund të jetës së tyre të shthurur këta njerëz pandehin se do t'i dorëzojnë qetë shpirtrat e tyre të pushojnë në paqe të përjetshme, mirëpo ata do t'i pret një zgjim i ashpër. Në vend të kësaj, atëherë kur më se paku e presin, ata do ta gjinden përballë engjëjve të vdekjes të caktuar për ta. Këta engjëj veprojnë sipas urdhrave të Allahut dhe janë mospërfillës ndaj përgjërimit dhe lutjeve të atyre për të cilët janë përgjegjës. Kur engjëjt e vdekjes të vijnë të marrin shpirtrat e tyre me tronditjen e goditjeve të ashpra në shpinat e tyre dhe dhimbjen djegëse, ata do të jenë plotësisht të vetëdijshëm për atë që po u ndodhë atyre:

Sikur t'i kishe parë engjëjt kur ua marrin shpirtin atyre që mohuan (do të shihje tmerr), u binin fytyrave dhe shpinave të tyre (para, prapa): "Shijoni dënimin e djegies!" (Sure Enfal: 50)

Krimi i kryer nga ana e jobesimtarëve është krim i rëndë dhe ndëshkimi i tyre do të zgjas për gjithë kohën. Nuk do të ketë mundësi ikjeje apo lirimi nga vdekja; thënë shkurt, nuk ekziston asnjë mënyrë çlirimi apo shpëtimi. Kjo për arsye se ata kanë ngritur krye kundër Allahut i Cili ka krijuar çdo gjë nga asgjëja, Zotëruesi i vërtetë i çdo gjëje, Zotëruesi i fuqisë dhe dijenisë së pafund, Zoti i gjithësisë.

Këta njerëz nuk iu frikësuan Allahut derisa ishin në Tokë, kështu që në Ahiret Ai do t'i nënshtroj ata ndaj frikave çfarë ata kurrë nuk kanë përjetuar apo me të cilat kurrë nuk janë përballur: ata do të jenë të rrethuar nga frika, llahtari dhe ankthi përgjithmonë:

Do t'i shohësh jobesimtarët të frikësuar nga ajo që vepruan, po, ajo do t'u ndodhë atyre... (Sure Shura: 22)

Këta njerëz të cilët kanë kaluar tërë jetën e tyre në pakujdesi dhe fundi i të cilëve është duke u afruar me shpejtësi, do të sulmohen nga një frikë dhe tmerr që s'ka mbarim. Jetët e tyre janë thjeshtë një hyrje e zgjatur ndaj tmerreve që do të pasojnë e që janë në duart e Allahut, i Cili deri atëherë vetëm "...ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen" (Sure Ibrahim: 42) Frika me të cilën do të përballen ata në Ditën e Gjykimit do të bashkohet me shushatje, siç përshkruhet në Kuran:

(përkujto) Ditën kur i fryhet surit, e të frikësohet kush është në tokë, përpos kë do All-llahu (të mos frikësohet) dhe t'i vijnë Atij të gjithë të përulur. (Sure Neml: 87)

Në Ditën e Gjykimit ndërsa njerëzit janë në gjendje paniku, gratë shtatzënë do të abortojnë foshnjat e tyre për shkak të kësaj frike. Tmerri i ndëshkimit të cilit do t'i nënshtrohen ata do të bëj që njerëzit të humbin mendjen:

O ju njerëz, ruajuni dënimit nga Zoti juaj, sepse dridhja pranë katastrofës së kiametit është një llahtari e madhe. Atë ditë, kur ta përjetoni atë, secila gji-dhënëse braktis atë që ka për gjini dhe secila shtatzënë e hedh para kohe barrën e vet, ndërsa njerëzit duken të dehur, po ata nuk janë të dehur, por dënimi i All-llahut është i ashpër. (Sure Haxhxh: 1-2)

Ky është vetëm fillimi. Ata do të përjetojnë ndëshkime të cilat tejkalojnë aftësinë e imagjinatës sonë. Allahu Zotëruesi i fuqisë dhe drejtësisë së pafund do të hakmerret, duke përdorur vetinë e Tij të Hakmarrësit (Muntekim). As të qarit, përgjërimi, britmat, luftimi, ndjenja e pendimit apo përgjërimi për falje s'do të kenë kurrfarë efekti. Askush nuk do të jetë në gjendje t'ju ndihmojë jobesimtarëve. Pa marr parasysh se çfarë bëjnë ata, nuk do të ndryshojë asgjë; se a pranojnë ata gjynahet e tyre dhe a pendohen apo jo, nëse janë apo jo të palëkundur, është tepër vonë për çdo gjë. Allahu na ka tërhequr vëmendjen ndaj kësaj përpjekjeje të pashpresë:

"Hyni në të! Për juve është njësoj, bëtë durim ose nuk bëtë. Shpërbleheni me atë që me veprat tuaja e merituat." (Sure Tur: 16)

Nuk ka rrugëdalje për njerëzit të cilët kanë arritur këtë shkallë. Ndërsa ata ishin në Tokë ata ishin vazhdimisht të përkujtuar gjatë gjithë jetës së tyre me këshilla të panumërta dhe paralajmërime të frikshme. Veç kësaj, atyre u janë dhënë mjete dhe burime të panumërta, ndërsa gjëja e vetme që është kërkuar prej tyre ishte se ata duhet t'ju vënë veshin ndërgjegjeve të tyre, i frikësohen Allahut dhe veprojnë me kujdes.

Ata do të përgjërohen për mëshirën e Allahut, edhe pse derisa ishin në Tokë mendjemadhësia dhe fodullëku i tyre i kanë ndaluar ata që ta bëjnë këtë, dhe po ashtu i kanë ndaluar ata që të përgatiten për vdekjen e tyre dhe dhënies e llogarisë në Ahiret. Prandaj, në Ditën e Gjykimit ata tërhiqen zvarrë në fytyrat e tyre për në vendin e tyre të ndëshkimit, ku ata do të përjetojnë si dhimbje fizike ashtu edhe shpirtërore, fuqinë e të cilave ata s'kanë mundur kurrë ta paramendojnë.

Kur të ringjallen jobesimtarët do të shohin semendjemadhësia e tyre është zhdukur tërësisht dhe do të jenë në një gjendje të thyer dhe të pikëlluar. Ata do të futen në Xhehenem dhe dyert e tij do të mbyllen prapa tyre dhe aty ata do të përballen me një skenar dhimbjeje dhe llahtari që kundërshton haptas çfarëdo përpjekje përshkrimi para se të hidhen në Zjarr. Asnjë dhimbje në Tokë nuk do të mund të krahasohej kurrë me agonitë e Xhehenemit, pasi që Allahu e ka krijuar atë si një ndëshkim që tejkalon të gjitha ndëshkimet:

Atë Ditë, askush nuk do të dënojë siç dënon Ai, e askush nuk do të lidhë në pranga siç lidh Ai! (Sure Fexhr: 25-26)

Dhimbja torturuese fizike në njërën anë dhe agonia e papërballueshme shpirtërore në anën tjetër, do të torturojnë viktimat e tyre. Ata do të keqtrajtohen, çnderohen, degradohen dhe nënvleftësohen. Ndjenja e dëshpërimit, e diturisë se ata kurrë ndonjëherë nuk do të dalin prej Xhehenemit, do të mbështjell krejtësisht shpirtrat e tyre tek ata përballen me një përjetësi frike, tmerri dhe vuajtjeje të pambarim.

 

SHPERNDAJE
logo
logo
logo
logo
logo
Shkarkimet
  • Parathënie
  • Allahu urdhëron në Kuran që t'ia kemi frikën atij
  • Frika ndaj Allahut siç përshkruhet në Kuran
  • Pse i frikësohen besimtarët Allahut
  • Çfarë vlera morale posedon një person i cili i frikësohet Allahut?
  • Cilësitë që fiton një besimtar për arsye se i frikësohet Allahut
  • Shpërblimet për ata të cilët i frikësohen Allahut
  • Arsyet e dështimit për t'iu frikësuar Allahut
  • Çfarë vlera morale posedon një person i cili nuk i frikësohet Allahut
  • Pasojat që vuajnë ata të cilët nuk i frikësohen Allahut
  • Përfundim