Frika ndaj Allahut nuk është, siç supozohet nga disa njerëz, një cilësi e veçantë vetëm për profetët dhe ata të cilët janë veçanërisht të afërt me Të por më tepër është një ndjenjë që bartet në zemrat e të gjithë besimtarëve dhe një ndjenjë që duhet ta ketë tërë njerëzimi. Urdhri i Allahut në Kuran është i qartë:
"O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç'ka përgatitur për të nesërmen! Kini frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju! (Sure Hashr: 18)
Profeti ynë (savs) gjithashtu tërhoqi vëmendjen ndaj kësaj çështjeje në shumë thënie të tij, duke i përkujtuar besimtarët që gjithmonë ta kenë frikën e Allahut: "Kini frikën e Allahut kudo që jeni; nëse pasoni një vepër të keqe me një të mirë do ta fshini atë; dhe me njerëz silluni në mënyrë të njerëzishme." (Tirmidhiu)
Allahu ka krijuar tërë njerëzimin dhe është jashtëzakonisht mirë i njohur me ta dhe i njeh ata më mirë se që e njohin ata veten e tyre. Ai e din atë që çdo njeri mban të fshehur madje edhe në skutat më të fshehta të qenieve të tyre. Ai është plotësisht i vetëdijshëm për format e mosbesimit që përjeton shpirti dhe lojërat që do të luhen nga uni sepse Ai është krijuesi i çdo shpirti i ka dhënë atij aftësi të pafund të bëj ligësi dhe frymëzim për t'iu shmangur të keqes në mënyrë që të mund të gjykohet me drejtësi. Allahu ka krijuar po ashtu Shejtanin si pjesë e kësaj sprove dhe i ka dhuruar atij disa cilësi të veçanta për t'i përdorur në ndjekje të këtij qëllimi.
Për këtë arsye përkrahja më e madhe për sprovën jetësore të një besimtari është frika ndaj Allahut sepse kjo do t'i mundësojë një personi të sillet ashtu si kërkon Allahu, të punoj për të fituar kënaqësinë e Allahut, të mbroj vetveten prej joshjeve të Shejtanit dhe epshit duke qenë i vetëdijshëm për to dhe duke iu bërë ballë dredhive dhe lojërave të tyre. Një dispozitë e tillë nuk i shkon për shtati përpjekjeve të Shejtanit për të manipuluar dëshirat e pafund të epshit të një personi.
Për këtë arsye, epshi i njeriut, me nxitjen e Shejtanit, do të bëjë përpjekje para së gjithash që ta largojë vëmendjen e tij nga frika ndaj Allahut. Ata do të përpiqen të largojnë vëmendjen e tyre nga frika ndaj Allahut dhe të mos jenë të vëmendshëm ndaj Tij duke sugjeruar se kjo nuk është e domosdoshme apo madje e gabuar dhe se dashuria ndaj Allahut dhe posedimi i një zemre të pastër është ajo që ka rëndësi. Mirëpo, një lexues i ndërgjegjshëm i Kuranit do të kuptojë me lehtësi se sugjerimet si këto nuk kanë bazë reale dhe se ato përmbajnë një qëllim plotësisht të devijuar dhe mashtrues, ngase Allahu u ka urdhëruar besimtarëve që ta kenë frikë Atë në Kuran në mënyrën më të qartë të mundshme. Ky urdhër gjendet në shumë ajete të Kuranit:
... Ta keni frikë Allahun dhe dijeni se Ai dënon ashpër. (Sure Bekare: 196)
... Ta keni frikë Allahun e ta dini mirë se vetëm tek Ai do të tuboheni! (Sure Bekare: 203)
... Kini frikë Allahun dhe ta dini se Allahu është i Dijshëm për çdo gjë! (Sure Bekare: 231)
... Ta keni frikë Allahun dhe dijeni se Allahu i sheh mirë të gjitha punët që bëni ju.(Sure Bekare: 233)
O besimtarë! Kini frikë Allahun, përpiquni që t'i afroheni Atij me vepra të mira dhe luftoni në rrugën e Tij për të shpëtuar! (Sure Majde: 35)
Sikurse për çdo çështje tjetër, një besimtar do të përpiqet që në mënyrë të pa rezervë dhe të pakushtëzuar ta përmbush këtë urdhër të Allahut. Për dallim prej atyre që nuk janë të vetëdijshëm për Kuranin dhe të cilët e vënë në dyshim domosdoshmërinë apo rëndësinë e frikës ndaj Allahut, ata nuk janë të çorientuar nga sugjerimet dhe nxitjet e Shejtanit të cilat do të shkaktojnë shqetësime hutuese lidhur me atë se pse një person që e do Allahun duhet t'ia ketë frikën Atij. Ndërsa falja e përditshme e namazit dhe agjërimi janë praktika të obligueshme që duhet të përmbushen në mënyrën më të mirë të mundshme, frika ndaj Allahut është një gjendje thelbësore shpirtërore e domosdoshme të cilën një besimtar duhet të përpiqet me sinqeritet ta ngjallë brenda vetes së tij. Bashkë me këtë, Allahu ka zbuluar në hollësi në Kuran urtësinë hyjnore se pse njeriu duhet të ketë frikë ndaj Tij. Këtë çështje do ta shtjellojmë në hollësi në kapitujt në vazhdim.