Shekulli i njëzetë, të cilin sapo e kemi lënë pas, ishte shekull luftrash e konfliktesh, që çuan në katastrofa, dhimbje, masakra, varfëri e shkatërrime të pallogaritshme. Miliona njerëz u vranë, u masakruan, u braktisën e u lanë në kthetrat e urisë e të vdekjes, në mëshirë të fatit, pa shtëpi a një vend ku të fusnin kokën, pa mbrojtje apo mbështetje. Të gjitha këto: në emër të disa ideologjive të gabuara. Pothuajse të gjitha vuajtjet dhe katastrofat mbajnë vulën e tiranëve dhe diktatorëve: Stalin, Lenin, Trock, Mao Ce Dun, Pol Pot, Hitler, Musolin, Franko… Disa prej këtyre diktatorëve i bashkonte një ideologji, ndërsa disa të tjerë ishin armiq për vdekje. Për arsyen e thjeshtë se ideologjitë e tyre binin në kundërshtim me njëra-tjetrën, ata e zhytën shoqërinë njerëzore në konflikte, nxitën vëllavratjen, i futën njerëzit në luftë me njëri-tjetrin, i bënë të hedhin bomba, të djegin shtëpi, të dalin në demonstrata të pakontrolluara, të rrihnin pa mëshirë të rinjtë, të vjetrit, gratë, burrat e fëmijët, të pushkatonin të pafajshmit… Ishin aq mizorë sa ia vinin armën në kokë dikujt dhe, duke e parë në sy, e vrisnin e më pas ia shkelnin trupin me këmbë, vetëm e vetëm se ai përkrahte një ide tjetër.