logo
HARUN YAHYA

Jeta e vertete fillon me vdekjen

Ekziston një dallim në mes të asaj që besimtarët, të cilët kalojnë jetërat e tyre duke iu bindur urdhërave të Allahut, pranojnë si shpërblim për bindjen e tyre dhe asaj që mosbesimtarët, të cilët çojnë jetët e tyre në ndjekje të dëshirave të tyre, duke e harruar Allahun dhe Ditën e Gjykimit, marrin si shpërblim për refuzimin e tyre. Ky dallim bëhet i njohur në momentin e vdekjes. Ndërsa engjujt marrin jetërat e besimtarëve me kujdes, jetërat e mosbesimtarëve i marrin në një mënyrë tejet pikëlluese. Engjujt përshëndesin besimtarët dhe u japin atyre lajmin e mirë për Xhennetin dhe ua nxjerrin shpirtërat me butësi. Të gjithë besimtarët vijnë përballë portës së jetës së përjetshme (vdekjes), duke qenë të përgatitur për të gjatë gjithë jetës të tyre, duke e njohur pashmangshmërinë e saj.

Në anën tjetër, mosbesimtarët takohen me vdekjen me sëmbime dërrmuese të keqardhjes, duke qenë se ishin përpjekur që t’i shmangen gjatë gjithë jetës së tyre, edhepse ishin të vetëdijshëm për ekzistencën e saj dhe prapseprap e kishin injoruar realitetin e saj. Rojet e Xhehennemit i kapin ata, duke goditur fytyrat dhe shpinat e tyre, duke nxjerrur me ashpërsi shpirtërat e tyre, që shkakton shumë dhimbje dhe pastaj i dërgojnë ata në një ndëshkim poshtërues dhe përvëlues. Një ajet thot:

Vetëm sikur t'i kishe parë engjujt kur ua marrin shpirtin atyre që mohuan (do të shihje tmerr), duke i goditur fytyrat dhe shpinat e tyre (para dhe prapa): "Shijoni ndëshkimin e Djegjes!" (Sure Enfal: 50)

Besimtarët janë përgatitur për këtë Ditë gjatë gjithë jetës së tyre dhe i janë lutur Allahut që Ai t’mos i turpëroi ata, siç tregon ajeti vijues:

(Ata të cilët përkujtojnë Allahun thonë:) “Zoti ynë, jepna atë që na e premtove nëpërmjet të Dërguarëve Tuaj, dhe mos na turpëro në Ditën e Ringjalljes. Vërtet, Ti je Ai që nuk e shkel premtimin!" (Sure Ali Imran: 194)

Ngjarjet e Ditës së Gjykimit shtojnë frikërespektin e besimtarëve ndaj Allahut, por Ai zbulon se Ai do t’i mbrojë ata prej të keqes së asaj Dite të vështirë, sepse:

“Vërtetë Ne i frikësohemi (dënimit) të Zotit tonë në një Ditë që fytyrat i bën të zymta dhe që është shumë e vështirë.” Po Allahu i ruajti ata prej sherrit të asaj Dite dhe u dhuroi shkëlqim në fytyra e gëzim të madh. (Sure Insan: 10-11)

Besimtaret Ne Diten e Gjykimit

Gjendja e tyre fizike

Në Ditën kur i sheh besimtarët dhe besimtaret që drita e tyre flakëron para tyre dhe në të djathtë të tyre. (U thuhet:) “Myzhde e juaj sot janë Xhennetet nën të cilat
rrjedhin lumenj, aty do të jeni përgjithmonë. E ajo është Fitore e madhe. (Sure Hadid: 12)

Besimtarët do të jenë të mbrojtur prej frikës së kësaj Dite dhe fytyrat e tyre do të jenë rrezatuese me gëzim dhe besim që do të pranojnë shpërblimin e tyre. Ata do të jenë “duke u qeshur dhe duke u kënaqur” (Sure Abese: 39). Kur’ani përshkruan shprehjet e ndryshme të fytyrës të besimtarëve dhe mosbesimtarëve, si në vazhdim:

Atyre që bëjnë vepra të mira, u takon e mira (xhenneti) edhe më tepër (e shohin Allahun). Fytyrat e tyre nuk i mbulon pluhuri i zi as nënçmimi, ata janë banues të xhennetit, aty janë përgjithmonë. E ata që bënë të këqija, dënimi i së keqes është aq sa është ajo, ata i mbulon poshtërimi. Ata nuk mund t'i mbrojë kush nga Allahu, fytyrat e tyre, porsi t'i kishte mbuluar ndonjë copë e errët e natës. Ata janë Banues të përjetshëm të Zjarrit. (Sure Junus: 26-27)

Mosbesimtarët do t’i lusin me përgjërim besimtarët për pak dritë, edhepse ata i kishin luftuar ata gjersa ishin gjallë. Kuptimi i kësaj drite është ndriçimi, shpëtimi dhe gëzimi. Kjo dritë që rrezaton prej atyre që e kanë merituar Xhennetin nuk do t’ju sjell dobi mosbesimtarëve, pa marrë parasysh se sa shumë e dëshirojnë atë. Pasiqë burimi i saj janë veprat e mira në Tokë, mosbesimtarët, të cilët nuk kanë bërë vepra të tilla, nuk do të përfitojnë asgjë. Për këtë arsye, atyre do t’u thuhet të kthehen prapa në Tokë për të gjetur diç. Kur’ani na informon:

Ditën kur hipokritët dhe hipokritet atyre që besuan u thonë: "Na pritni (ose na shikoni) të ndriçohemi prej dritës suaj!" Atyre do t’u thuhet: "Kthehuni prapa (në dynja) e kërkoni dritë!" Atëherë vihet ndërmjet tyre njëfarë muri që ka një derë, e brendia e tij është mëshirë (Xhenneti), e ana e jashtme e tij është dënimi (zjarri). (Sure Hadid: 13)

Besimtarët do të shpërblehen për përpjekjet e tyre për të fituan kënaqësinë e Allahut gjersa ishin gjallë, dhe ata do të jenë shumë të kënaqur me këtë (Sure Gashije: 9). Allahu do t’u përgjigjet përpjekjeve të tyre në mënyrën më bujare. Kjo ishte ajo që ata shpresonin dhe prisnin dhe ata do të jenë mirënjohës për këtë dhe thonë:

"…Falënderuar qoftë Allahu, i Cili premtimin e Vet e bëri realitet ndaj nesh dhe na e la në disponim tokën e Xhennetit që të vendosemi aty ku të duam…”(Sure Zumer: 74).

Shpërblimi i besimtarëve

Atyre që nuk besuan, u është bërë e hijshme jeta e kësaj bote dhe bëjnë tallje me ata që besuan. Por në Ditën e Ringjalljes, ata që u ruajtën (besimtarët) do të jenë mbi ta. Allahu i jap (shpërblim) pa masë atij që do. (Sure Bekare: 212)

Siç mund të shohim prej këtyre vargjeve, besimtarët të cilët përmbushën detyrën e tyre ndaj Zotit të tyre pa e parë Atë, të cilët pritën gjykimin në frikë do të jenë nën mbrojtjen e Tij. Një tjetër varg që u jap lajmin e mirë besimtarëve se do të jenë të mbrojtur në atë Ditë është dhënë në vazhdim:

…në Ditën kur Allahu nuk e turpëron Pejgamberin e së bashku me të as ata që kanë besuar. Drita e tyre do të ndriçojë para tyre dhe në të djathtë të tyre, e ata do të thonë: "Zoti ynë, përsose dritën tone për ne dhe falna neve! Vërtet, Ti je i plotfuqishëm për çdo send". (Sure Tahrim: 8)

Ndërsa mosbesimtarët do të jenë të përulur ashtu siç nuk është parë kurrë më parë, besimtarët nuk do të dijnë për frikë. Ata do të jetojnë gëzimin dhe kënaqësinë e pranimit të asaj që Allahu u ka premtuar dhe do t’u japen librat e tyre në duart e tyre të djathta dhe do të presin të qetë për t’u drejtuar në Xhennet. Allahu iu përgjigj atyre me shpërblime të pafund, u mori jetërat e tyre me kënaqësi dhe i mbrojti ata prej Ditës së Llogarisë. Allahu zbulon se Ai u dhuron mirësi dhe përparim besimtarëve në veçanti, sepse:

Thuaj: "Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira që Allahu i krijoi për robërit e Tij?" Thuaj: "Ato janë në këtë botë për ata që besuan, e në Ditën e Ringjalljes janë të posaçme për ta. Kështu Ne i sqarojmë argumentet një populli që kupton. (Sure A’raf: 32)

Pasiqë gjykimi të ketë kaluar dhe zjarri i Xhehennemit t’u jetë shfaqur atyre, besimtarët do të drejtohen për në Xhennet:

E ata që ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre, sillen në grupe te Xhenneti, e kur arrijnë aty, dyert e tij i gjejnë të hapura dhe roja e tij u thotë atyre: "Paqja qoftë mbi ju! Qofshi të shpëtuar! Ishit të pastër, andaj hyni në të, aty do të jeni përgjithmonë. (Sure Zumer: 73)

Kur’ani tregon në hollësi shpërblimet që besimtarët do të pranojnë në jetën e amshueshme të Ahiretit. Një shembull është dhënë më poshtë, si vijon:

Ata të devotshmit do të jenë në Kopshte të Kënaqësisë, të kënaqur me atë që u dha Zoti i tyre dhe që i ruajti Zoti i tyre nga vuajtja e Xhehennemit. (U thuhet) Me të mirë hani e pini, për atë që vepruat mirë. Ata janë të mbështetur në koltukë të renditur dhe Ne u shoqëruam atyre hyri symëdha. E ata që vetë besuan, e edhe pasardhësit e tyre ishin me besim, Ne atyre do t'ua shoqërojmë pasardhsësit e tyre dhe asgjë nuk u pakësojmë nga veprat e tyre (prindërve). Secili njeri është peng i asaj që ka punuar. Ne atyre u shtojmë të mirat me pemë e me mish që ata e dëshirojnë. Aty njëri-tjetrit ia zgjasin gotën, aty nuk ka fjalë të kota e as mëkat. Në mesin e tyre qarkullojnë shërbëtorët si të ishin margaritarë të ruajtur. Dhe njëri-tjetrit i qasen duke i pyetur (për punët e tyre në dynja). (Këta) Thonë: "Ne edhe kur ishim në familjet tona, ishim ata që frikësoheshim. E Allahu na dhuroi të mira dhe na ruajti prej dënimit të erës së nxehtë të zjarrit. Ne më parë ishim ndër ata që e lutëm Atë, e Ai është Bamirës, Mëshirues". (Sure Tur: 17-28)

Gjykimi i dy grupeve

Gjykimi i mosbesimtarëve, të cilët nuk ndjekën rrugën e Allahut dhe shkuan ose pas dëshirave dhe epsheve të tyre ose pas vlerave të shtrembëruara apo besimeve të shoqërive të tyre, do të jetë me të vërtetë shumë i vështirë. Atë Ditë, nuk do të ketë mëshirë apo keqardhje për ta dhe asnjë fuqi s’do të jetë në gjendje t’u jap fund vuajtjeve të tyre. Arsyeja kryesore për këtë është se ata nuk respektuan kufijtë e përcaktuar nga Allahu, edhepse atyre u dërguan përkujtues dhe se ata nuk do të kishin vepruar ashtu po të ktheheshin prapa në Tokë. Kjo e vërtetë zbulohet në vargjet vijuese:

Sikur të mund t'i shihje ata kur janë duke qëndruar para Zjarrit dhe duke thënë: "Ah, sikur të mund të ktheheshim (në dynja) përsëri, nuk do t’i mohonim Faktet e Zotit tonë dhe do të ishim prej besimtarëve!" Jo, (s'është ashtu) po atyre u doli në shesh ajo që e mbanin fshehtë më parë, prandaj edhe sikur të ktheheshin ata do të përsëritnin atë që e kishin të ndaluar, e s'ka dyshim se ata janë gënjeshtarë. (Sure En’am: 27-28)

Ndërsa janë duke dhënë llogari për veprat e tyre, Xhehennemi flakërues i pret ata. Ata do të dërgohen në Xhehennem si shpërblim për atë që vepruan gjersa ishin gjallë, sepse:

Dhe kur fletët të jenë shpaluar, Dhe kur Qielli të jetë hequr, dhe kur Zjarri të jetë ndezur fort, dhe kur Xhenneti të jetë afruar, atëherë çdo njeri do ta dijë se çka ka vepruar. (Sure Tekvir: 10-14)

Vargjet tjera zbulojnë se besimtarët do të kenë një gjykim të lehtë:

O njeri, vërtet ti përpiqesh me një përpjekje të madhe që çon te Zoti yt, e Atë do ta gjesh. E sa i përket atij të cilit i japet Libri i tij nga e djathta, atij do t’i bëhet një llogari e lehtë dhe do të kthehet te familja e vet i gëzuar. (Sure Inshikak: 6-9)

Besimtarët të cilët kanë jetuar jetërat e tyre në pajtim me vullnetin e Zotit të tyre, i Cili i krijoi dhe udhëzoi ata në rrugën e drejtë, do t’iu falen gjynahet e tyre nga Allahu i Gjithëmëshirshëm, i Cili ka shpallur se do t’ua falë gjynahet dhe t’i shëndrrojë ato në mirësi për ata të cilët besuan dhe bënë vepra të mira. Atë Ditë, Zoti jonë do t’iu drejtohet besimtarëve, të cilët tashmë kanë marrë atë që u ishte premtuar:

O ti shpirt i bindur plotësisht, kthehu te Zoti yt i vetëkënaqur e i pranuar! Hyn në turmën e robërve të Mi! Hyn në Kopshtin (Xhennetin) Tim! (Sure Fexhr: 27-30)

Në këtë mënyrë, ata do të jenë të shpëtuar prej zjarrit të përjetshëm të Xhehennemit me mirësinë dhe pëlqimin e Tij dhe hyjnë në Xhennete përplot shpërblim të pambarim. Përgjigja e tyre për të “hyrë në Xhennet” shpallet në Kur’an:

E ata (të Xhennetit) do të thonë: "Falënderuar qoftë Allahu, i Cili përmbushi premtimin e Tij ndaj nesh dhe na e la në disponim tokën e Xhennetit që të vendosemi aty ku të duam! Sa i mirë është shpërblimi i atyre që vepruan drejtë!" (Sure Zumer: 74)

Mosbesimtaret Ne Diten e Gjykimit

Gjendja e tyre fizike

Në Ditën e Gjykimit, njerëzit do të ngriten dhe rikrijohen. Fytyrat e besimtarëve do të shfaqin dritën dhe bukurinë unike për besimtarët, ndërsa fytyrat e mosbesimtarëve do të bëhen të shëmtuara:

Edhe në këtë botë i kemi përcjellë ata me mallkim, kurse në Ditën e Ringjalljes ata do të jenë të përbuzur dhe të shëmtuar. (Sure Kasas: 42)

Mirëpo, shumë vargje të tjera rrëfejnë se pluhuri, trishtimi dhe errësira do të mbulojnë poashtu fytyrat e mosbesimtarëve:

Atë ditë do të ketë edhe fytyra të pluhurosura, të mbuluara nga errësira e zezë. E të tillët janë ata mohuesit, mëkatarët. (Sure ‘Abese: 40-42)

E ata që bënë gënjeshtër ndaj Allahut, do t'i shohësh në Ditën e Ringjalljes, fytyrat e tyre të nxira. A nuk është në Xhehennem vendi i kryelartëve? (Sure Zumer: 60)

Nxirja e fytyrës është një fenomen metafizik. Ata njerëz të cilët braktisën një jetë të ndershme, një jetë që jetohet sipas vullnetit të Allahut, sepse jeta e jetuar sipas dëshirave të tyre vetjake siguron vetëm poshtërim.

E sikur të donim Ne, do ta ngrisnim lartë me (dituri), por ai nuk iu largua Tokës dhe ndoqi tekat dhe epshet e tij. Shembulli i tij është si ai i qenit, të cilin nëse e përzë ai e nxjerr gjuhën, po edhe nëse nuk e përzë, ai sërish e nxjerr gjuhën. Ky është shembulli i atyre që i konsideruan të rreme Argumentet Tona. Ti rrëfe tregimet (ymetit tënd) në mënyrë që ata të mendojnë. (Sure A’raf: 176)

Ata që lejojnë që të sundohen prej dëshirave të tyre vetjake do të jenë të poshtëruar në Ahiret si shpërblim për mendjemadhësinë e tyre në Tokë. Përveç shëmtisë së tyre fizike, ata poashtu do të jenë të turpëruar, sepse:

Atë Ditë sheh fytyra të përulura, (Sure Gashije: 2)

Mosbesimtarët, të cilët shpërfillën vargjet përkundër kërcënimit, nuk i zbatuan ato dhe nuk donin të përmirësoheshin, do të përjetojnë habinë e të qenit të përulur dhe të paaftë në një moment të papritur. Ata e meritojnë ndëshkimin e tyre dhe kështu gjendja e tyre atë Ditë do të jetë shumë e vështirë. Allahu do t’i përmbush premtimet e Tij, sepse sundimi i Tij është i drejtë. Vargjet thonë:

…Në Ditën e Ringjalljes Ne do t’i tubojmë ata duke i tërhequr zvarrë me fytyra për dhe, të verbër, memecë dhe të shurdhër. Vendi i tyre do të jetë Xhehennemi. Sa herë që të pushojë Flaka, Ne do t’ua shtojmë atë. (Sure Isra: 97)

Ai (që nuk besoi) do të thotë: "Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?" Ai (Allahu) do të thot: "Ashtu si i harrove ti Argumentet Tona që t'i ofruam, ashtu je ti i harruar sot". (Sure Ta Ha: 125-126)

Në Kur’an, Allahu rrëfen se fytyrat e besimtarëve do të jenë të përulura nga turpërimi:

Dalin prej varreve të tyre si karkaleca të shpërndarë e me shikim të përulur. (Sure Kamer: 7)

Shprehja në sytë e tyre dhe pamja e tyre që ngjallë frikë do t’u japet atyre në atë Ditë. Allahu i përshkruan ata si në vazhdim:

Ditën kur i fryhet Surit (bririt) dhe atë ditë Ne do t’i tubojmë mëkatarët symavijosur (të verbër, të shëmtuar). (Sure Ta Ha: 102)

Kur’ani poashtu shpall se ata të cilët ishin mendjemëdhenjë ndaj të Dërguarve të Allahut dhe vargjet do t’u vehen (si shenja) në hundat e tyre:

Ne do ta dëmkosim atë në noçkë (në hundë). (Sure Kalem: 16)

Ky është një burim i rëndësishëm i turpit, sepse të quajturit e hundëve të tyre “noçka” dhe të qenit i damkosur (i shenjuar) mjafton për të zbuluar poshtërimin dhe shëmtinë e tyre në Ahiret. Ndërsa besimtarët do të jetojnë në Ahiret në ambiente të rehatshme, mosbesimtarët do të fillojnë një jetë të turpërimit të përjetshëm. Kur’ani zbulon gjithë këtë, si në vazhdim:

Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara) që e shikojnë Zotin e tyre. Atë ditë ka edhe fytyra të vrazhda që presin t'u thyhet kurrizi (të shkatërrohen). (Sure Kijame: 22-25)

Nuk ka mundësi për t’u fshehur apo për të ikur. Allahu zbulon se mosbesimtarët, të cilët njihen aty për aty nga pamja e tyre, do të mbërthehen për balluket dhe këmbët e tyre dhe do të hudhen në Xhehennem.

Kriminelët do të njihen nga tiparet e tyre, andaj me rrëmbim kapen për flokët dhe për këmbët e tyre. (Sure Rahman: 41)

Në një hadith, Profeti ynë, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, përshkruan gjendjen e mosbesimtarëve në këtë mënyrë:

Anas ibn Malik rrëfeu se një person tha: “I Dërguar i Allahut, si do të bëhen mosbesimtarët të tubohen në Ditën e Ringjalljes (duke u tërhequr zvarrë) në fytyrat e tyre?” Për këtë ai tha: “Ai i Cili është mjaft i fuqishëm t’i bëj ata të ecin në këmbët e tyre, është mjaft i fuqishëm t’i bëj ata të tërhiqen zvarrë në fytyrat e tyre në Ditën e Ringjalljes.” (Sahih Muslim)

Ata s’do të lejohen të flasin

Mosbesimtarët do t’i marrin librat e tyre me një habi dhe keqardhje të madhe. Thirrjet e tyre “Vetëm sikur!” dhe “Mjerë për ne!” tregojnë se ata do të jenë të vetëdijshëm për kotësinë e pendimit të tyre. Nuk ka kurrfarë kuptimi të rënkojnë dhe ankohen, siç u thuhet në vargun vijues:

Ditën kur fytyrat e tyre do të përmbysen në zjarr do të thonë: "Ah sikur ta kishim adhuruar Allahun e respektuar të Dërguarin!" (Sure Ahzab: 66)

Allahu do t’iu përgjigjet lutjes së tyre, thirrjeve, të qarave dhe britmave të tyre për ndihmë me këto fjalë:

"Sot po ju lëmë të harruar, ashtu sikurse ju e harruat takimin e kësaj Dite…” (Sure Xhathije: 34)

Përkundër gjithë kësaj, ata do të vazhdojnë t’i bëjnë kërkesa Allahut: t’i dërgojë ata në mbretërinë e mosqenies, t’i lejojë që të japin gjithçka ata kanë si shpagim për t’i ikur vuajtjes dhe madje të dërgohen në Tokë për t’i korrigjuar të këqijat që kanë bërë. Kur’ani thot:

Vetëm sikur t’i shihje mëkatarët se si ulin kokat e tyre të turpëruar para Zotit të tyre: "Zoti ynë, tash pamë dhe dëgjuam, na kthe pra edhe një herë dhe do të bëjmë vepra të mira. Vërtet tash jemi të bindur". (Sure Sexhde: 12)

Ata do të luten me përgjërim për të shpëtuar veten nga ndëshkimi tronditës. Por Allahu zbulon se ata kurrë nuk do t’i ndryshojnë mënyrat e tyre të vjetra të jetesës dhe se tani nuk ekziston asnjë mënyrë që ata të shpëtojnë vetveten. Mosbesimtarët kanë bërë gjynahin më të rëndë: kryengritje kundër Allahut, i Cili i krijoi dhe i furnizoi ata. Prandaj, atyre nuk u lejohet të mbrojnë vetveten. Allahu thot:

Atë Ditë është shkatërrim për mohuesit! Kjo është Dita në të cilën ata nuk do të thonë asnjë fjalë të vetme dhe atyre as nuk do t’u lejohet që të arsyetohen. Atë Ditë, mjerë ata që përgënjeshtruan! (Sure Murselat: 34-37)

Allahu nuk do të flas me ta, nuk do t’i mbrojë dhe nuk do t’i pastrojë ata si pasojë e asaj që ata kanë vepruar, sepse:

Ata që fshehin nga Libri atë që shpalli Allahu dhe për të fitojnë shumë pak, ata në barqet e tyre fusin vetëm Zjarr. Atyre Allahu nuk do t'u flasë në Ditën e Ringjalljes dhe as nuk i shfajëson ata. Ata do të kenë ndëshkim të rëndë dhe të padurueshëm. (Sure Bekare: 174)

Ata që për një vlerë të paktë e shesin besën e dhënë Allahut, ndryshojnë edhe zotimet e tyre, të tillët nuk kanë pjesë (mëshirë) në botën tjetër, dhe në Ditën e Ringjalljes Allahu nuk do t’ju flas atyre, nuk do t’i shikojë ata dhe nuk do t’i pastrojë (prej barrës së gabimeve). Ata do të kenë një dënim të dhimbshëm. (Sure Ali Imran: 77)

Ai do të thot: "Heshtni aty e mos Më folni!" (Sure Mu’minun: 108)

Zemërimi i njerëzve nuk mund të krahasohet me zemërimin e Allahut ndaj mosbesimtarëve. Pavarësisht se sa mund të tërbohen njerëzit, hakmarrja e tyre është e kufizuar, ndërsa ajo e Allahut tejkalon aftësinë tonë të të kuptuarit. Kjo hakmarrje arrin kulmin me një shpagim tejet të dhimbshëm, shpagim që tejkalon kufijtë e intelektit dhe imagjinatës sonë. Kur’ani e zbulon këtë fakt, si në vazhdim:

Atyre që nuk besuan do t'u thuhet: "Hidhërimi i Allahut pse u ftuat të besoni e ju nuk besuat (në dynja), është më i madh se urrejtja juaj ndaj vetes". (Sure Gafir: 10)

Ata janë të frikësuar

Frika dhe pendimi i amshueshëm i mosbesimtarëve fillon kur engjujt e vdekjes marrin jetërat e tyre. Asnjëri prej tyre nuk mund t’i shmanget kësaj, sepse kjo është kapja e tyre e fundit dhe, pas vdekjes së tyre, ata do të kalojnë nëpër portat e amshueshmërisë. Në atë moment, një frikë e papërshkrueshme do ta kaplojë tërë qenien e tyre dhe do të kuptojnë se ndëshkimi i premtuar sapo ka filluar. Siç thot Allahu në Kur’an:

Vetëm sikur të mund t'i shihje mizorët kur janë në agoni të vdekjes, e engjujt kanë shtrirë duart e veta duke ju thënë: "Shpëtoni pra vetveten (nëse mundeni)! Sot do të përjetoni dënimin e turpshëm për shkak se e thoshit të pavërtetën për Allahun, dhe ndaj Argumenteve të Tij ishit kryeneç. (Sure En’am: 93)

Pasiqë e kanë lënë gjithë pasurinë e tyre tokësore, e cila është bërë e pavlerë dhe e pakuptim, ata do të kuptojnë se asnjë prej thesareve të tyre dhe njerëzit në të cilët ishin mbështetur s’mund t’u ndihmojnë. Siç tregon ky ajet, ata do të jenë krejtësisht të vetmuar, sepse:

Në të vërtetë ju erdhët te Ne një nga një (të vetmuar), ashtu si ju krijuam Ne së pari, duke lënë prapa gjithçka që Ne u patëm dhënë. Nuk po shohim se i keni me vete ndërmjetësuesit tuaj, të cilët i mendonit për ndihmues tuaj dhe i shoqëronit Allahut. Është këputur lidhja mes jush dhe mbaroi ajo çka mendonit (që ata janë ndërmjetësues apo zotëra tjerë). (Sure En’am: 94)

Pasiqë duart dhe këmbët e tyre janë të lidhura, ata nuk do të jenë në gjendje të kontrollojnë apo të ruajnë trupat e tyre, të cilët ata aq shumë i deshën dhe menduan se mund t’i kontrollojnë dhe t’i përdorin për të përmbushur dëshirat e tyre. Ata s’mund të bëjnë çfarë dëshirojnë. Vargjet zbulojnë se ata do të thirren të bien në sexhde para Allahut, por se ata nuk do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë:

Në Ditën kur ashpërsohet çështja deri në kulm, e ata ftohen për të bërë sexhde, por nuk munden. Shikimet e tyre janë të përulura dhe ata i kaplon poshtërimi, kur dihet se ata kanë qenë të ftuar të bëjnë sexhde sa ishin të shëndoshë (e ata - talleshin). (Sure Kalem: 42-43)

Allahu është poseduesi i çdo gjëje dhe çdo gjë ndodhë në pajtim me vullnetin e Tij. Mosbesimtarët do të thirren të bien në sexhde dhe kështu ata do të ndiejnë pendim dhe dhimbje për vonimin e kësaj çështjeje gjersa ishin gjallë. Këta njerëz, të cilët ishin shumë mendjemëdhenjë për t’i rënë në sexhde Allahut nuk do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë tani, edhepse ata do të dëshironin ta bënin këtë. Ata do të zëhen, do të thirren për të dhënë llogari dhe do të dërgohen në Xhehennem.

Ata ndiejnë pendim

Ata që mohojnë takimin me Allahun (në ditën e gjykimit) kanë humbur, ashtu që, kur t'u vijë Momenti (kijameti) papritur, do të thonë: "Të mjerët ne për atë që lame pas dore atje!” Ata do t’i bartin gabimet e veta në shpinë. Sa e shëmtuar është ajo që bartin ata! (Sure En’am: 31)

Njerëzit shpesh ndiejnë keqardhje, por madje edhe nëse mund të korrigjojnë ata që kanë bërë, për një arsye krenaria e tyre i ndalon ata që ta bëjnë atë. Ata mendojnë se dinë më së miri dhe mbyllin veshët e tyre ndaj gjitha këshillave. Por atë Ditë, ata do të ndiejnë keqardhje për sjelljen e tyre. Edhepse ata do të luten përplot pendim të kthehen prapa në Tokë për t’u përmirësuar, kërkesa e tyre do të refuzohet. Ata do të kuptojnë se pasuria, fëmijët, shokët, traditat, ideologjitë dhe të gjitha gjërat tjera për të cilat u përpoqën dhe të cilat i mbrojtën nuk kanë kurrfarë vlere dhe se vetëm ato vepra të bëra për kënaqësinë e Allahut kanë vlerë të vërtetë. Por ky ndërgjësim nuk do t’u sjellë atyre kurrfarë dobie më.

Disa do të përpiqen që të fshehin pendimin e tyre për shkak të krenarisë së tyre, si vijon:

Secili njeri që ka dëmtuar veten (duke mos besuar), po të ishte e tij çdo gjë që ekziston në Tokë, ai do ta flijonte atë (për të shpëtuar). E kur e shohin dënimin, ata fshehin dëshprimin (nga hutia). Atëherë bëhet gjykimi i drejtë mes tyre dhe nuk u bëhet padrejtë. (Sure Junus: 54)

Edhepse ata e dinë fajin e tyre, ata prap përpiqen të fshehin pendimin e tyre. Ata marrin pikërisht atë që meritojnë, sepse drejtësia e Allahut e kërkon këtë. Allahu do t’i ndajë besimtarët dhe mosbesimtarët atë Ditë. E tërë ajo që mosbesimtarët përjetojnë në Ditën e Gjykimit është pasojë e parapëlqimit të rrugës së Shejtanit mbi atë të Allahut dhe diçka që është me të vërtetë e merituar, sepse:

E kush do të paraqitet me punë të këqia (me besim të gabuar), ata do të hidhen të përmbysur në fytyrat e tyre në Zjarr, (u thuhet:) “Ju nuk shpërbleheni me tjetër pos me atë që punuat.” (Sure Neml: 90)

Shumë elementë do të shkaktojnë këtë pendim. Për shembull, takimi i tyre me ndëshkimin e Allahut, të qenit i vetmuar, dëshmia e lëkurave të tyre kundër tyre, shëmtimi i tyre, ndjenja e llahtarit të vuajtjes së përjetshme, të pamurit e Xhehennemit dhe të kuptuarit e mallkimit që i pret ata, të pamurit e hyjnive të rrejshme që ata i pasuan verbërisht dhe në të cilët besuan që zhduken papritur dhe duke parë se Shejtani, rrugën e të cilit ata me këmbëngulje ndoqën, i ka braktisur ata poashtu. Kur’ani tregon në hollësi atë që Shejtani do t’u thot pasuesve të tij atë Ditë me këto fjalë:

E pasi të kryhet çështja, shejtani do t’u thotë: "Vërtet, Allahu ju pat premtuar premtim të vërtetë, e unë ju pata premtuar dhe nuk e përmbusha premtimin. Po unë nuk pata kurrfarë pushteti ndaj jush (që t'ju detyroj), përpos që ju thirra (në rrugë të gabuar), e ju m'u përgjigjët; atëherë, pra mos më qortoni mua, po qortoni veten. Unë nuk mund t'ju shpëtojë juve, e as ju nuk mund të më shpëtoni mua. Unë mohoj shoqërimin tuaj që më bëtë mua më parë (më adhuruat në vend të Allahut)." S'ka dyshim, mosbesimtarët do të kenë dënim të dhimbshëm. (Sure Ibrahim: 22)

Besimtarët do të vështrojnë gjendjen e dëshpëruar të mosbesimtarëve, ndërsa mosbesimtarët do t’i shikojnë besimtarët me bisht të syve, pasiqë kokat e tyre do të jenë të ulura nga turpi dhe pendimi. Ky realitet zbulohet në një varg:

Do t'i shohësh ata duke iu afruar atij (zjarrit) të frikësuar nga nënshtrimi, se si shikojnë me bisht të syrit vjedhurazi. Ata që besuan do të thonë: "Vërtet, të humbur janë në Ditën e Ringjalljes ata që e humbën vetveten dhe familjen e vet!" Mizorët janë në dënim të përjetshëm. (Sure Shura: 45)

Shkalla e pendimit në Ahiret është shumë më e madhe për t’u krahasuar me çkado në Tokë. Nuk ka kthim dhe as shpëtim nga ky pendim, sepse ai është fundi i shkatërrimit të pashmangshëm dhe të pandalshëm të mosbesimtarëve, të cilin ata janë të shtyrë ta bartin në shpatullat e tyre. Ky shkatërrim dhe pendim është pasojë e mohimit të tyre të Allahut, i Cili i krijoi ata dhe pastaj ju ofroi gati gjithçka që është në Tokë për ta shfrytëzuar. Kjo rrugë e mohimit përcaktoi destinacionin përfundimtar të tyre në Ahiret: Xhehennemin. Aty, ata do të përjetojnë përjetësisht çdo pikëllim, dhimbje dhe shqetësim që mund të merret me mend për të cilat më me dëshirë nuk do të kishin menduar. Ndëshkimi i Allahut do t’i përball ata me tërë fuqinë e tij.

Ata grinden në mes vete

E duke u grindur mes vete në të, ata thonë: "Pasha Allahun, njëmend ne kemi qenë krejtësisht të humbur", kur juve (idhuj) ju kemi barazuar me Zotin e botëve. Neve nuk na humbi kush tjetër vetëm se kriminelët (prijësit). E tash për ne nuk ka ndonjë ndihmës (ndërmjetësues). Nuk ka as ndonjë mik të sinqertë. E, sikur të mund të kthehemi (në dynja) edhe njëherë, do të bëheshim besimtarë. Në këtë (që u përmend) ka argumente të bindshme, po shumica e tyre nuk besuan. (Sure Shu’ara: 96-103)

Mosbesimtarët do të ndeshen me një vuajtje të përmasave të pakrahasueshme. Ata do të jenë tejet të zemëruar për gjendjen e tyre dhe të tërbuar ndaj njerëzve që i larguan nga rruga e Allahut. Ambiciet e tyre më të mëdha, si pasuria dhe pozita, do të kenë humbur gjithë kuptimin. Ata do të jenë të tërbuar ndaj udhëheqësve të tyre, të cilët i larguan prej rrugës së Tij dhe do të përpiqen të distancohen prej tyre. Grindja në mes të atyre që i udhëhoqën dhe atyre që i pasuan zbulohet, si vijon:

Dhe (sikur të shihnin) kur do të largohen ata që u prinin prej atyre që i ndiqnin (paria largohet prej atyre që u shkuan pas), e të gjithë e shohin dënimin dhe këputen lidhjet në mes tyre. E Ata, të cilët u patën shkuar pas do të thonë: "Ah, sikur të na lejohej një kthim (në dynja) e të largohemi prej tyre (prijësve) siç u larguan ata tash prej nesh!" Kështu Allahu do t'ju paraqesë veprat që janë dëshprim për ta, e ata nuk kanë të dalë prej zjarrit. (Sure Bekare: 166-167)

Ditën kur fytyrat e tyre do të përmbysen në zjarr e thonë: "Të mjerët ne, ta kishim adhuruar Allahun e respektuar të Dërguarin!" Dhe thonë: "Zoti ynë, ne i dëgjuam udhëheqësit tanë dhe të parët tanë, por ata na shmangën nga rruga e drejtë". Zoti ynë, jepu atyre dënim të dyfishtë dhe mallkoj ata si është më së keqi! (Sure Ahzab: 66-68)

Allahu thekson se udhëheqës të tillë janë një prej faktorëve që i largojnë njerëzit prej besimit në Të. Njerëzit që konsiderohen superior për arsye të vlerëimit të njerëzve tjerë dhe jo për arsye të vlerësimit të Allahut, kanë ndikim të jashtëzakonshëm mbi pasuesit e tyre. Njerëzit që ju binden këtyre udhëheqësve joshen të jetojnë sipas vlerave të përkohshme të kësaj bote dhe kështu çojnë dëm jetërat e tyre. Mirëpo, të paaftë për të njohur gabimet e tyre në Tokë, ata përkrahën njëri tjetrin në mosbindje ndaj Allahut dhe jetuan në përputhje me besimet e tyre. Kur të shfaqet lajthitja e tyre në këtë Ditë, ata do të fillojnë të fajësojnë njëri tjetrin. Pavarësisht prej këtyre akuzave, asnjë palë nuk do të shpëtoj prej ndëshkimit të Xhehennemi

Allahu përshkruan udhëheqësit e tillë me këto fjalë:

Dhe ata i bëmë prijësa që thërrasin për në Zjarr dhe në Ditën e Ringjalljes atyre nuk do t'u ndihmohet. Edhe në këtë botë i kemi përcjellë ata me mallkim… (Sure Kasas: 41-42)

Në Ditën e Ringjalljes ai (faraoni) i prinë popullit të vet dhe i fut në Zjarr. Sa i shëmtuar është ai vend i ofruar. (Sure Hud: 98)

Mosbesimtarët do të dëshirojnë që të ekzistonte një largësi aq e madhe sa në mes të Lindjes dhe Perëndimit në mes tyre dhe udhëheqësve që ata i pasuan. Allahu shpall se:

Kush mbyll sytë para këshillave të Zotit, atij ia shoqërojmë një djall që nuk i ndahet kurrë. E ata (djajt) do t'i shmangin nga rruga e drejtë, kurse (jobesimtarët) mendojnë se janë duke i udhëzuar. E kur të vijë ai (jobesimtari) para Nesh, do të thotë: "Ah, të kishim qenë larg mes vete sa lindja me perëndimin! Sa shok i keq je ti!" Dhe sot, për shkak se ishit zullumqarë, shoqërimi juaj nuk do t'ju bëjë dobi në vuajtjet tuaja. (Sure Zuhruf: 36-39)

Njerëzit nuk do të duan t’i njohin disa prej atyre që i deshtën, që iu besuan apo me të cilët ishin të lidhur me epsh gjersa ishin gjallë; ata do t’i mohojnë të tjerët dhe do t’i akuzojnë të tjerët. Kur’ani thot:

Ai (Ibrahimi) tha: "Ju përqafuat, veç Allahut, idhuj vetëm sa për bashkëjetesë mes jush në jetën e kësaj bote, e në Ditën e Ringjalljes (ndryshon gjendja) ju do të refuzoni njëri-tjetrin dhe do të mallkoni njëri-tjetrin. Fundi juaj është zjarri, për ju nuk do të ketë ndihmues." (Sure Ankebut: 25)

Kur’ani rrëfen argumentet tjera të tyre, si vijon:

(Rojeve të Xhehennemit do t’u thuhet:) “Ju të dy (engjujt) hidheni në Xhehennem secilin mohues kryeneç, secilin pengues të veprave, mizor e të dyshimtë në fe, i cili Allahut i shoqëroi Zot tjetër. Pra hidheni atë në vuajtjet më të rënda." E shoku i tij i pandashëm (djalli) thot: "Zoti ynë, unë nuk e shmanga atë prej rrugës së drejtë, por ai vetë ka qenë i humbur larg." Ai (Allahu) thot: "Mos u grindni tash para Meje, se Unë më parë ju tërhoqa vërejtjen. Tek Unë nuk ndryshon fjala (vendimi) dhe Unë nuk jam zullumqar për robërit e Mi". (Sure Kaf: 24-29)

Ata që përbuzën rrugën e drejtë të besimtarëve do të jenë të habitur kur nuk do t’i gjejnë besimtarët pranë tyre atë Ditë, siç përshkruhet më poshtë:

Dhe (plëngprishësit) thonë: "Ç'është që nuk po i shohim disa burra që ne i konsideronim prej të këqijve. E që i kemi pas marrë ata në tallje? A mos na u ka larguar shikimi prej tyre?" Kjo armiqësi në mes banuesve të zjarrit është e vërtetë. (Sure Sad: 62-64)

Gjersa ishin gjallë, grindjet e tyre në mes vete kurrë nuk morën fund dhe, në të vërtetë, ata errësuan vet jetërat e tyre. Në të vërtetë, ata të gjithë janë të vetëdijshëm për vrazhdësinë që ia shkaktuan njëri tjetrit. Ata nuk gjetën qetësi madje në mesin e të afërmve të tyre apo në mjedisin e tyre dhe prapseprap nuk pushonin së grinduri. Ndërsa besimtarët gjithmonë jetojnë në kënaqësi këtu dhe në Ahiret, mosbesimtarët gjithmonë jetojnë në një gjendje të shqetësimit dhe pakënaqësisë. Ata do të pranojnë dhimbje nga të gjitha anët, si edhe do të grinden vazhdimisht me ata të cilët i konsiderojnë të afërt.

Ata janë të turpëruar

Mendjemadhësia ndaj Allahut do të sjellë poshtërim. Ata që nuk besojnë në Ahiret, që mohojnë ekzistencën e qartë të Allahut dhe jetojnë jetë të shfrenuar do ta paguajnë një çmim të rëndë si shpërblim për atë që punuan. Pasiqë ata nuk e konsiderojnë ndëshkimin e Tij të besueshëm dhe kështu nuk mendojnë për të, ata bëhen shërbëtor të Shejtanit duke rënë në grackën e taktikave të tij devijuese dhe kështu çojnë kot jetërat e tyre. Në vend se ta jetojnë jetën si një sprovë, ata e jetojnë atë si një kauzë boshe. Mendjemadhësia e tyre i shtyri ata të bëjnë shumë gjynahe, si luftimi i Allahut dhe hulumtimi i mënyrave për ta mohuar Atë. Kjo padyshim se është një gjynah i madh, gjynah që do të shpie drejt një vuajtje dhe poshtërimi të madh në Ahiret.

Qartë, mosbesimtarët janë në gabim. Ata kurrë nuk hetojnë burimin e dhuntive të Allahut apo se si e fituan ata pasurinë e tyre dhe e marrin si të drejtë të tyre t’i gëzojnë kënaqësitë e jetës pa përkujtuar dhe pa falënderuar Krijuesin e tyre. Por pasojat e një mendjemadhësie të tillë do të jenë të mëdha. Vargjet zbulojnë:

E në Ditën kur ata që nuk besuan paraqiten pranë zjarrit (e u thuhet): Ju i shfryëzuat të mirat në jetën e dynjasë dhe i përjetuat ato, e sot, për shkak se keni bërë mendjemadhësi në tokë pa të drejtë dhe për shkak se nuk respektuat urdhërat e Zotit, do të shpërbleheni me dënim nënçmues. (Sure Ahkaf: 20)

Ata që kalojnë jetët e tyre duke ndjekur botën dhe që kurrë nuk mendojnë për Ahiretin do të poshtërohen në Ditën e Gjykimit dhe pastaj. Allahu zbulon këtë të vërtetë në vargjet në vijim:

A të erdhi ty lajmi për belanë që kaplon (kijameti)? Atë ditë sheh fytyra të përulura, të lodhura e të rraskapitura (nga mundimi). (Sure Gashije: 1-3)

Mandej, në Ditën e Ringjalljes Ai i turpëron ata dhe thotë: "Ku janë ata që m'i bënit shokë Mua dhe për hir të tyre grindeshit?" E ata që ishin të zotët e dijës, do të thonë: "Vërtet, sot turpërimi dhe e keqja i përfshiu jobesimtarët". (Sure Nahl: 27)

Atij i dyfishohet dënimi Ditën e Ringjalljes dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë. (Sure Furkan: 69)

Ata që e vazhdojnë luftën e tyre ndaj Allahut me një paturpësi të shëmtuar shpërfillin Ditën e Gjykimit. Ata jetojnë të pavetëdijshëm për planin që Allahu ka sajuar për ta, një plan që është i pakrahasueshëm. Vetëm grupe të vogla njerëzish pranuan dhe pastaj jetuan në përputhje me thirrjet e të Dërguarve. Këto thirrje shtuan mosbesimin e të tjerëve dhe poashtu shtuan barrën e tyre. Në fund, Allahu do t’ua shfaq realitetin e Ahiretit gjithë njerëzve në mënyrën më madhështore. Dhe mosbesimtarët do t’i kuptojnë qartë pasojat e premtimeve të Allahut. Jetërat e tyre nuk janë të amshueshme dhe koha e tyre në Tokë ka mbaruar. Kënaqësitë dhe dëshirat kanë humbur joshjen e tyre dhe i vetmi realitet që ka rëndësi është gjykimi i Tij. E keqja që ata bën kundër Allahut është shpaguar, sepse Ai i ka gjykuar ata me gjykim të përshtatshëm për të jetuar përgjithmonë në vuajtje dhe dhimbje. Në anën tjetër, jeta e amshueshme e besimtarëve do t’u tregohet gjithë njerëzve me gjithë shkëlqimin dhe bukurinë e saj.

SHPERNDAJE
logo
logo
logo
logo
logo
Shkarkimet
  • Hyrja
  • Dita e gjykimit po afrohet
  • Ngjarjet e asaj dite
  • Allahu krijoi gjithësinë
  • Pasi të vdes gjithësia
  • Jeta e vertete fillon me vdekjen
  • Mashtrimi i evolucionit
  • Përfundim