E të zëhet (errësohet) Hëna, dhe të bashkohet Dielli e Hëna. Atë Ditë njeriu do të pyet: "Ku mund të ik?" Jo vërtetë! Nuk do të ketë strehim. Atë Ditë, caku i vetëm do të jetë te Zoti yt. (Sure Kijame: 8 - 12)
Mendoni për njerëzit dhe ngjarjet që i japin formë jetës suaj. Ju punoni me zell për të arritur dikund, duke u përpjekur për të gjetur vendin tuaj në luftën për një jetë të mirë. Jeni shumë të vëmendshëm ndaj disa çështjeve dhe mendoni thellë për to. Në të njëjtën kohë, me kujdes i shmangeni të menduarit për çështje tjera dhe, siç ndodhë zakonisht, shumë njerëz të afërt me ju bëjnë të njëjtën gjë. Çdo njeri e di se cilave tema duhet shmangur në bisedë dhe në të menduar. Vdekja është njëra prej tyre, ndoshta më e rëndësishmja prej tyre. Për ata, vdekja është një fund për të cilin nuk ka zgjidhje.
Dita e Gjykimit, e cila do t’ia sjellë “vdekjen” gjithësisë mu sikurse vdekja e njerëzve, është një çështje për të cilën njerëzit nuk kanë dëshirë të mendojnë; ata parapëlqejnë ta konsiderojnë atë si një gjë pak të mundshme dhe të largët. Ata kanë një ide të paqartë për atë që do të ndodhë atë Ditë, por pasiqë vetëm mendimi për të i frikëson ata, njerëzit janë të prirur ta harrojnë atë. Ata thjeshtë parapëlqejnë të vazhdojnë jetërat e tyre në vend se të ballafaqohen me të.
Njerëzit më së shumti ndikohen nga aspekti i ditës së fundit të kësaj Dite për të gjitha qeniet, qofshin ato të gjalla apo të pajetë. Dita e Gjykimit është dita e fundit e jetës në Tokë dhe për gjithësinë. Por në të njëjtën kohë, është fillimi i jetës së amshueshme në Jetën e Përtejme (Ahiret). Atë Ditë, njerëzit do të ringjallen, do të rikrijohen. Besimtarët në Allahun dhe në Ahiret do të mirëpriten në Xhennet (Parajsë), ndërsa mosbesimtarët do të dërgohen në Xhehennem (Ferr). Prandaj, për ata që e presin një Ditë të tillë, plotësisht të vetëdijshëm se ç’nënkupton ajo, është e pakuptim që t’i iket vdekjes, Ditës së Gjykimit dhe Ahiretit. Përkundrazi, realiteti i vdekjes dhe ngjarjet e asaj Dite do t’i udhëzojnë njerëzit që të bëjnë vepra të mira për çështjen e Allahut, do t’i drejtojnë ata të besojnë në Ahiret dhe do t’i sjellin më pranë Allahut. Vetëm besimtarët do të kursehen nga frika e madhe e asaj Dite, në të cilën ngjarje të papara më parë do të ndodhin, sepse Allahu shpall se ata nuk do të kenë arsye për të qenë të frikësuar apo të pikëlluar, sepse:
Nuk është ashtu (si thonë ata)! Të gjithë ata që i janë dorëzuar Allahut dhe janë bamirës, do të gjejnë shpërblimin e tyre te Zoti i tyre. Ata nuk do të ndiejnë kurrfarë frike dhe nuk do të njohin kurrfarë pikëllimi. (Sure Bekare: 112)
Ata që besuan në këtë Ditë dhe në Kur’an, si edhe se jeta e vërtetë është në Ahiret, gjersa ishin gjallë dhe jetuan në pajtim me të do të jenë të shpëtuar. Ata nuk e shpërfillën ekzistencën e vdekjes dhe nuk ishin shumë mendjemëdhenjë për të adhuruar Allahun. Të tillët do të mirëpriten në mënyrën më të këndshme në Ahiret dhe drita udhëzuese e Allahut do të jetë me ta në Ditën e Gjykimit. Besimtarëve u japet lajmi i mirë në Kur’an, si vijon:
…Ditën kur Allahu nuk do të turpërojë Pejgamberin e së bashku me të ata që besuan. Drita e tyre do të ndriçojë para tyre dhe në të djathtë të tyre. E ata do të thonë: "Zoti ynë, vazhdona dritën tonë, dhe falna neve! Ti ke fuqi mbi çdo gjë." (Sure Tahrim: 8)
Ky libër zbulon Ditën dhe ngjarjet e saj dhe paralajmëron për vështirësitë e asaj Dite. Ajo që është më e rëndësishmja është se Dita e Gjykimit është një realitet për të gjithë njerëzit dhe, si e tillë, nuk duhet injoruar. Ky libër do t’ju ndihmojë që të mendoni për ekzistencën dhe realitetin e saj në dritën e vargjeve Kur’anore.
Qëllimi i librit është që t’ju paralajmërojë për një Ditë në të cilën ju do të takoheni me çkado që do të ndodhë dhe t’ju udhëzojë drejt sigurisë dhe jetës së përjetshme në Xhennet. Realiteti i ngjarjeve shqetësuese të kësaj Dite është një faktor i rëndësishëm për t’i shtyrë njerëzit të mendojnë për të. Për këtë arsye, gjatë këtij libri do të përshkruajmë hollësitë e kohës që shpie drejt Ditës së Gjykimit dhe do të hetojmë realitetin e saj.