Dhe nuk ka dyshim se Ora po afron dhe se Allahu me siguri do t'i ngjallë ata të varrezave (të vdekurit). (Sure Haxh: 7)
Vdekja po afrohet çdo ditë. Pa marrë parasysh se a jeni të ri apo të vjetër, vdekja është pak më pranë jush çdo ditë, madje çdo minut. Nuk mund t’i bëni ballë kohës apo të ndaloni afrimin e vdekjes. Asgjë që bëni ju s’mund të ndryshojë faktin se ju dhe ata afër jush janë vetëm qenie “të përkohshme”. Si çdo qenie tjetër e gjallë, ju i afroheni Ditës në të cilën jeta juaj do të përfundojë.
Njerëzimi nuk është ana e vetme e krijimit që i nënshtrohet vdekjes. Të gjitha krijesat tjera, vet Toka dhe e tërë gjithësia, kanë një ditë të vdekjes të përcaktuar për to. Dita e Gjykimit është një ditë e llahtarit dhe frikës së paimagjinueshme. Por në të njëjtën kohë, është dita më e mahnitshme. Gjithçka në Tokë do të rrafshohet, yjet do të shuhen dhe do të bien me shpejtësi njëra pas tjetrës dhe Dielli do të mbështjellet në errësirë. Të gjitha qeniet njerëzore që kanë jetuar ndonjëherë do të tubohen dhe do të bëhen dëshmitarë të kësaj Dite. Kjo Ditë e Fundit do të jetë e frikshme për mosbesimtarët dhe Zoti i saj do të jetë Allahu, i Cili zotëron gjithçka ekziston.
Dita e Gjykimit, përkundër besimit të shumicës së njerëzve, po afrohet, ajo nuk është në një të ardhme të largët. Kur të vjen ajo, Toka dhe gjithçka në të do të asgjësohet. Ambiciet, dëshirat, zemërimi, shpresat, epshet, armiqësitë dhe kënaqësitë do të marrin fund. Planet e bëra për të ardhmën do të bëhen të pakuptim, sepse ata që kishin harruar se do të kthehen tek Allahu, duke parapëlqyer këtë botë mbi jetën e përjetshme dhe pasurinë, bukurinë dhe kënaqësitë çorientuese të saj, do të takojnë fundin e tyre. Në këtë Ditë, çdo njeri do të përjetojë qartë ekzistencën e Allahut dhe do të përballet me vdekjen të cilën janë përpjekur aq shumë ta harrojnë. Përpjekja e tyre për të harruar Allahun dhe Ahiretin ka marrë fund dhe një fillim i ri, një fillim që do të jetë i përjetshëm dhe që nuk do t’ju sjellë lumturi mosbesimtarëve, i pret ata. Që nga momenti i parë i kësaj jete të përjetshme, ndëshkimi është aq i frikshëm sa që ata që e përjetojnë atë do të luten për “vdekje” dhe “asgjësim”. Fillimi i kësaj jete është Dita e Gjykimit dhe “Ora po afron pa asnjë dyshim.”
Që nga fëmijëria juaj e hershme e më tutje, ju shkoni drejt synimeve të caktuara apo udhëzoheni prej të tjerëve. Ju me siguri do të keni një familje dhe një punë, do të përpiqeni të fitoni më shumë për të pasur një jetë më të mirë, do të shkolloni fëmijët tuaj dhe do të shpresoni të keni një jetë më të mirë se që keni pasur. Një herë në javë takoheni me pjesëtarët e familjes suaj të gjerë. Shkoni në pushime, shkoni në punë dhe pjesën tjetër të kohës suaj e kaloni në shtëpi. Përveç disa problemeve të vogla me të cilat ndesheni, jeta juaj vazhdon e qetë dhe zakonisht nuk ndesheni me asgjë të jashtëzakonshme.
Gjithçka në jetën tuaj duket të jetë e paramenduar dhe jeta e çdokujt është sikurse jeta e çdokujt tjetër. Ju duhet të punoni për t’i vënë në jetë këto synime dhe duhet të keni një familje për të vazhduar familjen tuaj. Sipas këtij botëkuptimi, çfarë tjetër do të mund të dëshironit vallë përveç “një pune të mirë” dhe “një familje të mirë?” Me arritjen e këtyre synimeve, ju shpresoni të çoni një jetë të lumtur. Në këtë mënyrë, gjithçka është e mrekullueshme dhe ju do të jetoni të lumtur.
Megjithatë, në trupin tuaj dhe në mjedisin tuaj ndodhin disa ndryshime të rëndësishme. Shumë qeliza që kanë funksione të ndryshme përmbushin qëllimin e tyre dhe vdesin. Duke u plakur, bëhet më e vështirë që ato të zëvendësohen. Organizmi juaj plaket dukshëm, gjë që bie në sy përmes sëmundjeve dhe dobësive tuaja. Koha kalon shpejtë dhe pamundësia e kthimit të saj bëhet më e qartë çdo ditë. Duke menduar se do të jetoni i lumtur dhe në rehati përgjithmonë, ju prapseprap i afroheni vdekjes. Pra, kjo jetë tokësore kurrë s’mund t’ju jap ndjenjën e kënaqësisë dhe qetësisë që ju shpresoni. Kur kjo jetë “e kënaqshme” merr fund, ju do të përballeni me të vërtetën reale. Duke e pasur parasysh këtë fakt, asnjëra prej ambicieve tuaja jetësore s’duhet të bëhet qëllimi juaj i vërtetë në jetë. Kjo jetë është një sprovë e përkohshme për të ndarë të drejtët prej keqbërësve. Allahu zbulon këtë realitet në vargun vijues:
Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t'ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është Ngadhënjyesi, Mëkatëfalësi. (Sure Mulk: 2)
Qëllimi i vërtetë i jetës nuk është një punë e mirë dhe një familje e mirë. Në të vërtetë, çdo njeri është krijuar për një qëllim: për t’i shërbyer Allahut. Ne bëhemi të lidhur me fëmijët tonë, pozitën dhe statusin por që në çastin e parë të vdekjes, këto kënaqësi tokësore humbin vlerën dhe domethënien e tyre. Çdo njeri e di këtë, por shumica vendosin t’mos e pranojnë. Dhe kështu gjërat e tilla s’do të duhej të ishin qëllimet themelore të jetës. Ne duhet të mendojmë me kujdes dhe të kuptojmë se çka është qëllimi i vërtetë dhe dobia e vërtetë. Allahu zbulon qëllimin e vërtetë të krijimit tonë, si vijon:
Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër vetëm që t’Më adhurojnë. (Sure Dharijat: 56)
Vetëm me anë të përmbushjes së kësaj përgjegjësie mund të shpresojmë në dhuntitë e Ahiretit. Shumica e njerëzve kanë shpresa të pabaza dhe e ngushëllojnë veten me to. Por ky është një gabim i madh. Nëse njeriu nuk pret asgjë nga Ahireti, mbetet vetëm një mundësi: Të bëhet asgjë me vdekjen e tij, një mundësi që është më e frikshme se gjitha mundësitë tjera. Mosbesimtarët zhvillojnë metoda të ndryshme për të harruar këtë mundësi, sepse shumë ia kanë frikën asaj. Midis këtyre metodave janë që t’mos flitet, t’mos diskutohet apo të mos përkujtohet vdekja, edhepse është një gjë e sigurt për çdo njeri. Çdo njeri sillet sikur ajo të mos ekzistonte. Se shumica e njerëzve sillen në atë mënyrë do të mund të ishte një gjë lehtësuese deri në një masë, por në të vërtetë ata të gjithë janë në rrugë të gabuar. Njerëzit dijnë për vdekjen, Ditën e Fundit dhe Ahiretin por nuk pranojnë të mendojnë për to. Ata janë të kënaqur me këtë jetë tokësore apo së paku e bindin veten të besojnë se janë. Mirëpo, Allahu zbulon se vdekja do ta gjejë çdokend:
Thuaj: "S'ka dyshim se vdekja prej së cilës po ikni, ka për t'ju zënë, e mandej do të silleni te Njohësi i të padukshmës dhe të dukshmës, dhe atëherë Ai do t'ju njoftojë me atë që keni punuar." (Sure Xhum’a: 8)
Gjithësia dhe gjithçka që përmban ajo, jo vetëm njerëzimi, do të vdes në Ditën e Gjykimit, sepse atë Ditë prova do të marr fund. Shumë njerëz do ta njohin ardhjen e saj përmes shenjave të saj, dhe ngjarjet që çojnë në vdekjen e gjithësisë do të jenë në kuptimin e plotë të fjalës rrënqethëse. Përfundimisht, atë Ditë, Allahu do t’i ringjallë ata që janë në varre dhe të gjithë njerëzit në Tokë do të thirren për të dhënë llogari. Ata që nuk kishin pritur të përjetojnë një Ditë të tillë nuk do të jenë më në gjendje që ta mohojnë atë dhe kështu do t’i përulen vullnetit të Allahut deshën apo jo. Allahu ka përgatitur një fund madhështor për gjithësinë dhe përkundër përpjekjeve të shumë njerëzve për ta mohuar këtë të vërtetë, Dita e Gjykimit do të vjen në kohën e saj të caktuar.
Ata që janë të kënaqur me vlerat dhe kënaqësitë e përkohshme të kësaj bote bëjnë ç’munden për t’i injoruar faktet e tilla si vdekja e tyre përfundimtare, e cila është fare pranë dhe Ditën e Ringjalljes. Duke mos menduar për të vërteta të tilla, ata i thonë vetvetes se mund të jetojnë vetëm për veten e tyre dhe të harrojnë për obligimet e tyre ndaj Allahut.
Kur’ani përshkruan në mënyrë figurative ngjarjet e Ditës së Fundit dhe tronditjen, frikën, panikun dhe gjendjen mendore që shoqëron gjithë njerëzit. Gjithësia do të marr fund në të njëjtën mënyrë madhështore në të cilën u krijua. Planetet do të dalin prej orbitave të tyre dhe malet do të lëvizin. Përballë ngjarjeve të tilla mahnitëse, ata që vënë besimin e tyre në rastësi dhe ndodhi të rastësishme do të kuptojnë se vetëm Allahu sundon gjithçka. Allahu shpall:
Thuaj: "Kujt i takon gjithçka është në qiej dhe në tokë?" Thuaj: "Vetëm Allahut." Ai ia përcaktoi mëshirën Vetes. Ai do t'ju tubojë në Ditën e Ringjalljes, për të cilën gjë nuk ka dyshim. Ata që i shkaktuan humbje vetvetes, ata nuk besojnë. (Sure En’am: 12)
E kur t’i fryhet Surit me një frymë, dhe të ngrihen toka e kodrat e t'i mëshojnë njëra-tjetrës me një të goditur. Në atë Ditë ndodhë e vërteta (kijameti). (Sure Hakka: 13-15)
Me kalimin e kohës, ne me shpejtësi i afrohemi Ditës së Gjykimit. Shumica e njerëzve mendojnë se kjo Ditë është në të ardhmën e largët. Mirëpo, ata do të duhej këshilluar që të përkujtojnë se gjeneratat e mëparshme kishin të njëjtin qëndrim. Në të vërtetë, çdo njeri i cili ka jetuar ndonjëherë do të jetë dëshmitar i këtyre ngjarjeve dhe do të tubohet në praninë e Allahut; askush s’do të jetë në gjendje të ik. Pasiqë vetëm Allahu e di kur do të vjen Dita e Gjykimit, nuk ka kurrfarë garance se nuk do të ndodhë ndërsa ju jeni duke bërë plane për të ardhmën dhe jeni të zënë me jetërat tuaja të përditshme, sepse:
Thuaj: "Unë nuk e di a do të jetë afër ajo që u premtohet, apo Zoti im do ta vonojë atë shumë?" Ai është Njohësi i të fshehtës, por fshehtësinë e Tij nuk ia zbulon askujt. (Sure Xhinn: 25-26)
Rregulli madhështor në të cilin Allahu krijoi jetën do të përfundojë në një kohë të panjohur për ne. Ata që dyshojnë për këtë fakt dhe zgjedhin të mos besojnë në të mund ta konsiderojnë veten si të arsyeshëm, dhe kështu kjo Ditë do të jetë një ditë e vështirë dhe e frikshme për ta. Për këtë arsye, është shumë më dobiprurëse dhe pozitive që të besohet në të, sepse nuk do të ketë dobi të besohet në të kur të ketë arritur Ora (momenti) apo të ndjehet keqardhje për vet-mashtrimin e tyre. Një varg e përshkruan keqardhjen e tillë, si vijon:
E kur të vie Vala e Madhe (kijameti), atë Ditë njeriu përkujton se çka ka punuar. (Sure Nazi’at: 34-35)